"Na jem ti", “10-shi” i UÇK-së nga Haga thur vargje për luftën e Kosovës

Nga Qendra e Paraburgimit në Hagë, Rexhep Selimi poezinë e ka shndërruar në dritare përmes së cilës rrëfen në vargje përjetimet e vuajtjeve të luftës.

Copëza nga e kaluara e dhimbshme e Kosovës, gjendjen dhe humbjet që pësuan familjet shqiptare “10-shi” i UÇK-së i ka pasqyruar me ton artistik në poezinë “Na jem ti”. Poezia e Selimit përmbledh dëshirën dhe pikëpyetjet që kanë pasur fëmijët e dëshmorëve për të ditur, njohur dhe kuptuar jetën dhe vdekjen e baballarëve të tyre derisa janë rritur.

Poezia tashmë është shndërruar në këngë dhe është interpretuar nga dy vëllezërit Ismet dhe Shpëtim Gashi, që janë djemtë e dëshmorit të UÇK-së, Beqir Gashi.

Ata tregojnë që Rexhep Selimi vargjet e poezisë “Na jem ti” i kishte shkruar gjatë pauzave kur po intervistohej në Hagë.

“Teksti është realizuar gjatë intervistës kur ka shkuar në Hagë, gjatë pauzës”- bëjnë të ditur vëllezërit Gashi.

Shpëtim Gashi njëri nga ta tregon si është ndjerë kur për herë të parë e mori tekstin në duar teksa shihte veten brenda vargjeve të shkruara nga Rexhepi.

“Kur e kemi lexuar, e kemi parë që ka qenë tekst shumë emocionues, tekst i ndjeshëm, jemi munduar të jemi sa më mirë aty, e gjejmë veten ne, aty e gjejnë veten edhe shumë të tjerë, fëmijë të dëshmorëve” – tha ai.

Po ashtu edhe Ismet Gashi pohon që teksti i Rexhep Selimit është përshtatur me jetën e tyre dhe përjetimet e fëmijëve të dëshmorëve.

“Rexhep Selimi është ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është edhe daja jonë. Ai ka bërë shumë tekste më herët për neve edhe për shumë këngëtarë të tjerë. Tekstin nuk ia kemi kërkuar, ai e ka ditë çka na përshtatet neve edhe e ka bo tekstin, e ka vendosur veten në vendin tonë si fëmijë të dëshmorit. Neve na ka emocionuar shumë kur e kemi dëgjuar për herë të parë” – u shpreh ai.

Ismeti shpjegon momentin kur e mori lajmin që babai tij Beqir Gashi kishte vdekur. Ai tha se këtë ndjenjë e përjetoi edhe një herë në vargjet e Rexhep Selimit.

“Qysh është teksti ashtu ka qenë edhe jeta jonë. Kur e kemi marrë vesh lajmin që ka vdekur, e kemi parë jo duke qajtë nanën, por të mërzitur pak. Qysh është teksti është edhe ngjarja, përafërsisht si për neve, edhe për gjithë fëmijët e dëshmorëve, besoj” – theksoi ai.

Me këtë këngë vëllezërit Gashi tregojnë që kanë dashur të përcjellin një mesazh për rininë e cila duhet të kujtojë të shkuarën dhe të mos harrojë luftën.

“Mesazhi jonë është që nuk duhet me harru luftën, se pak kanë nis me harru, por gjaku i cili është derdh nuk bën me harru, duhet me na ditë pak këta gjenerata e re neve qysh jem rritë, me përjetu pak me atë ndjenjën tonë” – u shprehën ata.

Kënga me vargjet e Rexhep Selimit u publikua më 12 nëntor.

Kjo nuk është hera e parë që Rexhep Selimi shkruan tekste këngësh pasi ai është autor edhe i tekstit të këngës “Kreshtat e Kosovës”.

Rexhep Selimi po qëndron në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 nën akuzat për krime lufte bashkë me ish-komandatë të tjerë të UÇK-së.