Presidentja Osmani: Epopeja e Dukagjinit, një nga ngjarjet më heroike të luftës së UÇK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot Epopenë e Dukagjinit.

Përmes një komunikate për media, ajo ka thënë se Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit.

“Më 24 mars 1998 forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë sulmuan Gllogjanin, teksa familja Haradinaj me qëndresën heroike tregoi se liria ishte e panegociueshme. Dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj në këtë ditë ranë në altarin e lirisë, ndaj sot e përherë i kujtojmë me respekt, sikurse edhe të gjithë ata që luftuan dhe që përmbushën ëndrrën e brezave për shtet”- ka thënë ajo.

Sipas presidentes Osmani, gjithë luftëtarët e UÇK-së e miqtë që mbështetën luftën, meritojnë vlerësimin më të lartë.

“Epopeja u zhvillua në të njëjtën ditë kur nisën bombardimet e NATO-s kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndaj ajo paraqet fillet e lirisë, vulën e së cilës ia dhanë veprimet ushtarake të Aleancës veri-Atlantike”- ka thënë presidentja Osmani.

Gjatë ditës së sotme janë mbajtur aktivitete për të kujtuar dëshmorët e luftës së UÇK-së, në “Ditën e Dëshmorëve të Dukagjinit. Aktivitete qendrore janë mbajtur në Gllogjan të Deçanit.

Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes UÇK-së dhe forcave ushtarake e policore serbe.