Pamje nga seanca e gjykimit të Zoran Vukotiqit - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Vukotiq më Ka Rrahur Tri Herë në Mënyrë Mizore

Në gjykimin e Zoran Vukotiqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare gjatë vitit 1999, kanë dëshmuar Shefqet Binaku dhe Sabit Hyseni.

Dëshmitarët folën për tmerrin e përjetuar në kohën sa janë mbajtur në burgun e Smrekonicës.

Shefqet Binaku tregoi se te një sallë afër Urës se Gurit në Vushtrri, e cila në atë kohë nuk ishte e rregulluar, kishte parë tmerr me sytë e tij.

“Pasi na kanë nda në tri grupe, unë jam transportu me një shleper në një sallë të parregulluar te Ura e Gurit. Aty e kam parë tmerrin e botës. Por, për fat të mirë unë nuk kam pasë problem ‘’, tha dëshmitari.

Më pas, dëshmitari tha se rreth 940 civilë i kanë ngarkuar në një shleper dhe i kanë dërguar në burgun e Smrekonicës.

“Pasi kemi shku në burgun e Smrekonicës secilit na i kanë marrë të dhënat personale. Pastaj mua me djalin tim dhe me rreth 40 veta tjerë na kanë vendosë në një dhome të ngushtë me një dritare të cilën e mbanim hapur gjithë kohën”, tha Shefqet Binaku.

I pyetur nga prokurori se a kanë pasur mundësi të shikonin ndonjë gjë nga dritarja dhe çfarë kishin parë, dëshmitari tregoi që kanë parë rrahjen që u është bërë të burgosurve të cilët kanë qenë të vendosur në ndërtesën e cila shihej përballë.

Dëshmitari shtoi se në pavijonin ku kishte qenë i vendosur ai personalisht rojet të cilët na ruanin kanë qenë gardianë dhe nuk i kanë ngacmuar shumë.

Ndërsa për të pandehurin tha që e ka njohur si punëtor të gjykatës.

Prokurori e pyeti dëshmitarin se si i trajtonte Zoki (Zoran Vukotiq) të burgosurit e tjerë.

“Kur Zoki vinte në ndërrim për të bërë roje jo që e dinim ne por bërtima dhe të qarat e të burgosurve jo vetëm në burgun e Smrekonicës por janë dëgjuar aq larg ndoshta edhe deri në Vushtrri”, tha dëshmitari.

Në gjykimin e Zoran Vukotiqit dëshmoi edhe Sabit Hyseni.

Ai tregoi se në kolonë sa ishin duke shkuar nga Studimja në drejtim të Vushtrrisë forcat serbe kanë vrarë një djalë rreth 13 vjeç dhe një plak.

“Sa kemi qenë në kolonë ka pasë të shtëna. Vetëm e di që aty është vrarë një djalë rreth 12 ose 13 vjeç. Një plak që ka qenë aty i është drejtu njërit prej policëve dhe i ka thanë në serbisht: Pse po vrani fëmijë të pafajshëm? Ai ia ka drejtu armën dhe e ka vra edhe këtë plakun”, tha dëshmitari.

http://kallxo.com/deshmitari-e-pash-vukotiqin-kur-e-ekzekutoi-nje-14-vjecar-ne-studime/

Në dëshminë e tij dëshmitari shpjegoi se kur disa policë serbë kishin hyrë në kolonë në radiolidhjen e njërit kishte dëgjuar kur dikush kishte pyetur sa ishin vrarë.

“Me veshët e mi e kam dëgju në radiolidhje serbisht: Sa i keni vra? Dhe ai polici është përgjigjur në serbisht: Rreth 100”, theksoi dëshmitari.

Derisa përshkruante në detaje se si i kishin dërguar në burgun e Smerkonicës dhe i kishin vendosur në një sallë, dëshmitari shtoi se ata të cilët kanë qenë të vendosur në salle kishin çfarë të tregonin ndërsa ata të cilët kane qene në pavijonet e burgut, kanë shpëtuar shumë më lehtë.

Gjatë 3 jave sa kishte qëndruar në burgun e Smrekonicës dëshmitari tregoi se në mënyre mizore ishte rrahur rreth tre here nga i akuzuari.

I pyetur nga prokurori se kush i ruante në burg, dëshmitari u përgjigj që Zorani ishte roja, duke e përshkruar edhe se si dukej.

“Zorani mbiemrin e të cilit në atë kohë nuk e kam ditë dhe një tjetër, të cilit nuk ia di emrin ka qenë zeshkan me trup më të vogel. Një dite kanë qenë këta të dy dhe një ditë tjetër dy tjerë, njeri prej tyre quhej Safet. Ky Safeti me kolegun e tij kanë qenë më të sjellshëm”, tha dëeshmitari.

“Sa ka qenë në ndërrim Zorani, na rrihte me një shkop të drurit, ka qenë shumë i fortë, unë jam çudit qysh nuk është thy. Aq qetë ishte nga të burgosurit sa që lirisht ke mujt mizën me e ndi. Vinte me veturën e tij, e lëshonte muzikën dhe fillonte me na rrahë. Është dashur me e mbajt kokën poshtë, përndryshe në momentin që e ke ngrit kokën ka fillu me të goditë. Njeri më të prishtë e më të çartur nuk kam parë”, vazhdoi dëshmitari Sabit Hyseni.

Sipas dëshmisë së tij, i akuzuari Vukotiq përmes një liste i zgjidhte njerëzit të cilët kishin mbiemrin e njëjtë, vëllezërit, babën me të birin, por edhe të burgosurit e tjerë dhe i detyronte me u rrah në mes veti. Dhe kur ata nuk e godisnin shumë njeri tjetrin ky ( Zorani ) i thoshte jo ashtu dhe fillonte vet me i goditë.

Të gjitha këto dëshmitari tha që i kishte parë nga dritarja.

KALLXO.com ka raportuar edhe me herët nga procesi gjyqësor ndaj Zoran Vukotiqit.

Raportet mund t’i gjeni në këtë link.