Deputeti Rom Reagon ndaj Ofendimeve Nga Deputetët e PDK-së

Deputeti i komunitetit rom, Kujtim Paçaku, në fillim të seancës së sotme doli në foltore për të kërkuar sqarime rreth përgjimeve telefonike të publikuara së fundmi. Në një komunikim telefonik të publikuar dje mes deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci dhe Safete Hadërgjonaj, ata këtij komuniteti i referoheshin me terma ofendues.

Kujtim Paçaku kërkoi nga protagonistët e asaj telefonate t’i kërkojnë falje komuntetit rom për termat e përdorur “gabel” e “magjup” në këto biseda mes deputetëve.

I pari që kërkoi falje ishte kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“I kërkoj falje publikisht komunitetit rom, për çdo lëndim që ka mundur t’i ndodhë komunitetit rom”, tha Veseli.

Edhe Adem Grabovci kërkoi falje për gjuhën e përdorur.

“Unë e pranoj që në momente të caktuara, ne jemi njerëz dhe kemi momente të dobësisë. Ju kërkoj falje të gjithëve dhe atyre që mund të fyhen nga bisedat telefonike. Të tjerat ia kam lënë drejtësisë. Nëse dikush konstaton se unë kam dëmtuar interesin e vendit tim, urdhëroni denonconi në organet e drejtësisë”, tha Grabovci.