Deputetët e Opozitës: Nuk Ndalemi Edhe Nëse na Arrestojnë të Gjithëve

Tre deputetë të tri partive opozitare kanë dalë para pak çastesh para gazetarëve për ta dhënë qëndrimin e tyre rreth zhvillimeve të sotme dhe vazhdimit të seancës së Kuvendit në një sallë alternative nga ana e kolegëve të tyre të bllokut tjetër politik.

“Edhe sot u pa se qeveria e Kosovës dhe dy partitë ne pozite me çdo kusht po tentojnë të mbajnë mbledhje, duke mos i përfillur kërkesat e opozitës e pa anulimin e marrëveshjeve nuk do te ketë normalitet. Nëse këto dy marrëveshje ndalen, ne do t’i kthehemi normalitetit”, tha Sali Salihu i Vetëvendosjes.

Bali Muharremaj i AAK-së u shpreh se deputetët e opozitës janë “aty ku është vendi i deputetëve”.

“Ne jemi në shërbim të qytetarëve, në mbrojtje të vendit.  I paralajmërojmë qe edhe nëse 31 deputetë të opozitës do të arrestohen, ne nuk do të heqim dorë”, tha Muharremaj.

“Ne si opozitë do të vazhdojmë me përdorimin e të gjitha metodave për parandalimin e këtyre marrëveshjeve”, tha Zafir Berisha i NISMA-s.