Komisioni për të Drejtat e Njeriut, diskutimi për Haden

Deputetët dhe Avokati i Popullit kërkojnë zgjidhje për Haden

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione është duke diskutuar lidhur me vendimin e qeverisë për themelimin e grupit teknik me qëllim të propozimit të zhvillimit të Minierës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik, tha se janë afër një zgjidhje për banorët e Hades.

“Ne kemi parë sfidën kur kemi qenë para një kolapsi energjetik. Projekti i Kosovës së re parasheh që të kemi një minierë të re të thëngjillit për të siguruar thëngjill për 40 vitet e ardhshme. KEK-u ka angazhuar një kompani konsulente gjermane ku na tregon anët negative dhe pozitive të anëve ku marrim thëngjill. Secili opsion që merret shikohet pakti social dhe ambientalist”, ka thënë ministri Lluka.

Sipas tij është marrë vendimi që të krijohet një grup ekspertësh të cilët pastaj do të tregojnë se duhet të shkohet.

“Ky ekip është themeluar dhe ka pasur obligim të shqyrtoj edhe kërkesat e banorëve, problemi ka qenë që për shkak të presioneve të ndryshme dhe ka dhënë dy opsione, veri në Hade dhe në jug. Ne insistuam që të lihet vetëm një opsion dhe jemi pajtuar që ata të bëjnë analiza dhe të tregojnë se nga cila anë të shkohet miniera e thëngjillit. Në kohë afatgjate Hada nuk e ka vendin aty sepse është e rrethuar me thëngjill dhe nuk është e shëndetshme të jetohet aty”, ka deklaruar Lluka.

Hilmi Jashari, Avokat i Popullit tha se po shkelen të drejtat e banorëve të Hades. Ai tha se është e nevojshme të bëhet zgjidhja më e shpejt.

“Si Avokat i Popullit e kemi ngritur një shqetësim për fshatrat Hade dhe Shipitullë. Situata në terren dhe të drejtat e banorëve nuk janë në rregull. E shoh që nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Banorët konsiderojnë se kanë mbetur me një oazë. Kjo vonesë nga viti 2004 e deri tash ka ngritur koston e shpronësimit të banorëve. Nëse vazhdon të ketë vonesa të tilla do të ndikojë negativisht në anë ekonomike”, ka thënë Jashari.

Mustafë Grainca, zëvendësministër i Financave tha se janë në pritje të vendimit në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje adekuate.

“Ne si ministri jemi në pritje të një vendimi të drejt për këtë çështje dhe konform kësaj do të gjejmë një zgjidhje adekuate për qytetarët e Kosovës”, tha Grainca.

Përfaqësuesi i fshatit Hade, Ragip Grajqevci, tha se nuk janë marrë parasysh rekomandimet që janë dhënë nga ana e banorëve.

“Ne kemi nxjerr disa rekomandime, mirëpo asgjë nuk është zbatuar. Nuk e di a jemi pengës, apo jemi pjesë e procesit të zhvillimit të energjisë elektrike. Ne jemi të parët që përballemi me probleme mirëpo jemi të fundit që pyetemi. Ju lutem ndajeni termin zgjidhje për Hade dhe Shipitullë sepse për Hade nuk është bërë zgjidhje. Premtimet që janë bërë nga qeveria dhe ministrat nuk janë kryer dhe ne kemi mbetur në kolaps. Ne kërkojmë që të nxirret një vendim njëherë e përgjithmonë dhe mos të vijmë çdo vit e të marrim vendime që nuk respektohen”, tha përfaqësuesi i banorëve të fshatit Hade Ragip Grajqevci.

Inxhinieri Januz Grajqevci, tha se një nga problemet tjera për këtë zonë është hedhja e mbeturinave në Mirash.

“Askush nuk po përmend mbeturinat që hedhen në Mirash. Ministër na ke premtu një takim dhe nuk e kemi mbajtë. Ju lutem punoni me profesionalizëm”, tha Grajqevci.

Deputetja Duda Balje, kryetare e Komisionit, tha se nuk ka kushte normale për të jetuar në fshatin Hade.

“Sa i përket ndotjes së ajrit nuk janë kushtet normale për të jetuar. Si në Hade nuk kam pa as një vend në Kosovë ashtu. Grupi që e keni kontaktuar, a janë konsultuar me banorët e Hades. Nëse qeveria merr vendim është e rëndësishme me pas takim me banorët e Hades. Ata kanë dalë me dy propozime. Nëse dalin vetëm me një propozim dhe me lan Haden si është tash a kemi mundësi financiarisht mi plotësu kërkesat e Hades të paktën në minimum. Unë kam qenë edhe në lagjen e re, ata nuk kanë pas kushte higjienike”, tha deputetja Duda Balje.

Deputetja Luljeta Veseli Gutaj, kërkoi të dijë nëse janë konsultuar banorët e Hades  dhe të Shipitullës të cilët janë të rrezikuar nga gjendja e cila ndodhet në terren.