Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Qeveria i hapë rrugë shpronësimit të pronave që preken nga ndërtimi i parkut me panele solare nga KEK-u

Qeveria ka marrë vendim që t’i hapë rrugë shpronësimeve për interes publik të pronave të cilat preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Parkut Fotovoltaik”, për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Kërkesa ka të bëj me Zonën Kadastrale Kryshevc të Komunës së Obiliqit dhe Zonën Kadastrale të Fushë Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qëllimi i këtij projekti është ndërtimi i parkut me panele solare për prodhim të energjisë elektrike me kapacitet prej 100 megavatë.

Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri ministri i Mjedisit, Planifikimi Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Departamenti i shpronësimit, me datën 1 shtator 2022 nga KEK ka pranuar kërkesën për shpronësim për pronat të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit. Departamenti i shpronësimit ka konstatuar se kërkesa i plotëson kushtet ligjore, dhe i propozon qeverisë që të miratojë vendimin për shpronësim të mëtutjeshëm për pronat që preken nga ky projekt. Për realizimin e këtij projektit është e nevojshme që të kryhen procedurat e shpronësimit”- ka thënë Aliu.