Rusty steel barrels contain old fashioned winemaking liquid generated by artificial intelligence

Agjencia Evropiane e Mjedisit: Ndotja e ajrit vret 1200 fëmijë dhe adoleshentë në Evropë çdo vit

Ndotja e ajrit vret më shumë se 1200 fëmijë dhe adoleshentë në vit në Evropë, sipas një raporti të publikuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) të hënën.

Gjithashtu, sipas këtij raporti ndotja e ajrit e rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve më vonë gjatë jetës.

Pavarësisht përmirësimeve të bëra në vitet e fundit, niveli i ndotësve kryesorë të ajrit në shumë vende evropiane mbetet mbi udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), paralajmëron raporti.

Evropa Qendrore – Lindore dhe Italia, janë veçanërisht të prekura rëndë nga ndotja e ajrit.

Pse të rinjtë janë kaq të prekshëm nga ndotja e ajrit?

Fëmijët dhe adoleshentët janë veçanërisht të prekshëm ndaj ndotjes së ajrit, sepse trupi dhe sistemi i tyre imunitar janë ende në zhvillim.

Ekspozimi ndaj dioksidit të azotit dhe ozonit në afat të shkurtër, dhe grimcave të imta – të njohura edhe si PM 2.5 – në afat të gjatë mund të ndikojë në funksionin dhe zhvillimin e mushkërive të fëmijëve. Kjo mund të çojë në sëmundje të frymëmarrjes dhe në probleme kardiovaskulare, duke përfshirë astmën, e cila prek nëntë për qind të të rinjve në Evropë.

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit gjatë shtatzënisë ndërlidhet gjithashtu me peshën e ulët të lindjes dhe rrezikun e lindjes së parakohshme.

Raporti vlerëson se ndotja e ajrit shkakton më shumë se 1200 vdekje të parakohshme në vit në mesin e personave nën moshën 18 vjeç në 32 shtetet anëtare të EEA, duke mos e përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Zvicrën apo Ukrainën.

Edhe pse ky numër është ende i ulët në krahasim me vdekjet e përgjithshme nga ndotja e ajrit, e cila u vlerësua në 311,000 në vitin 2021, ndikimi i vdekjeve ose sëmundjeve kronike në jetën e hershme konsiderohet më i madh.

Në popullatën e gjerë, sëmundjet e zemrës dhe sulmet në tru janë shkaqet më të zakonshme të vdekjeve të parakohshme nga ndotja e ajrit, të ndjekura nga sëmundjet e mushkërive dhe kanceri i mushkërive.

Sa e keqe është ndotja e ajrit në Evropë?

Në vitin 2021, më shumë se 90 për qind e popullsisë urbane të BE-së ishte e ekspozuar ndaj niveleve të dëmshme të ndotjes së ajrit, thotë raporti i lartcekur.

Ekspozimi ndaj PM 2.5 – ndotësi më i dëmshëm për shëndetin e njeriut – ishte edhe më i lartë në 97 për qind. Grimcat e imëta janë shkaku kryesor i sulmit në tru, kancerit dhe sëmundjeve të frymëmarrjes.

Të dhënat tregojnë se nivelet e PM 2.5 janë më të këqijat në Evropën Qendrore – Lindore dhe Italinë, kryesisht për shkak të djegies së lëndëve djegëse të ngurta, të tilla si qymyri në shtëpi dhe industri. Zonat që mendohet se kanë cilësi “shumë të dobët” të ajrit përfshijnë Piotrkóë Trybunalski dhe Nowy Sacz në Poloni, Slavonski Brod në Kroaci dhe Kremona në Itali.

Monitorimi ka treguar se nivelet e ozonit dhe dioksidit të azotit i kanë tejkaluar udhëzimet e OBSH-së në të gjitha vendet, ndërkohë që nivelet më të larta të ozonit janë shënuar në rajonin e Mesdheut dhe Evropën Qendrore.

Faro në Portugali dhe Umeå dhe Uppsala në Suedi janë renditur si qytetet më të pastra evropiane me nivelet mesatare më të ulëta të PM 2.5.

Si mund t’i reduktojmë dëmet nga ndotja e ajrit?

Si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër, Plani i Veprimit për Zero Ndotje të BE-së ka si qëllim t’i kufizojë emetimet dhe ta ulë ndotjen e ajrit në të gjithë bllokun e BE-së. Deri në vitin 2030, ky plan synon ta reduktojë numrin e vdekjeve që ndërlidhen me PM 2.5 me 55 për qind krahasuar me nivelet e vitit 2005.

Mirëpo, derisa të reduktohet në nivele të sigurta, përmirësimi i cilësisë së ajrit përreth shkollave mund të ndihmojë në reduktimin e dëmtimit të fëmijëve.

Kjo mund ta përfshijë përmirësimin e infrastrukturës së çiklizmit dhe vendosjen e ndalimeve të trafikut ose kufizimeve të shpejtësisë kur fëmijët janë duke udhëtuar për në shkollë ose duke zhvilluar aktiviteve sportive në natyrë./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala