Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin e Zonës Ekonomike në Malishevë

Në Gjykatën e Prishtinës sot u paraqitën Shkëlzen Morina dhe Ruzhdi Begaj në cilësinë e dëshmitarëve për rastin e Zonës Ekonomike në Malishevë.

Fillimisht, në pyetjet e palëve u përgjigj dëshmitari Morina.

Morina në seancë tha se çmimet për parcelat në Bërnicë, Banjë dhe Malishevë janë sjellë nga 1500 deri 5000 euro për ari.

Tutje ai tha se në bazë të një vendimi të Qeverisë, shpronësimi i 87 hektarëve nuk ka ndodhur dhe kjo sipas tij ka qenë humbje për Komunën e Malishevës.

Në vazhdim të seancës u dëgjua edhe dëshmitari Begaj, i cili tha se në vitin 2007 ka blerë nga Ahmet Rrahmanaj 30 hektarë tokë në Bellanicë dhe Senik.

Këto parcela ai tha se i ka blerë me kontratë në shumën prej 30 euro për ari.

Tutje ai shtoi se shteti i kishte marrë një pjesë të asaj toke dhe për të i ka kompensuar shumën totale diku 155 mijë euro.

Ndërsa për shpronësim të pronës në zonën kadastrale Bellanicë në hapësirë prej 10 hektarë tokë, shteti i kishte dërguar vendim për kompensim në vlerë prej 750 mijë euro në total.

Prokuroria Speciale vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaçi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj.

Sipas dosjes së prokurorisë Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaçi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këtë, prokuroria pretendon se e kanë bërë në atë mënyrë që si persona zyrtarë kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Nazmi Kafexholli sipas aktakuzës së prokurorisë akuzohet për veprën e mashtrimit.

Për këtë Kafexholli akuzohet se kishte përfituar grante nga Ministria e Bujqësisë në atë mënyrë që duke qenë në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës dhe duke ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte marrë me qera pronën nga i ndjeri M.H. dhe në të kishte ngritur pemishte.

Ndërsa Ahmet Rrahmanaj nga prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave në atë mënyrë që duke ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale I ka transferuar dhe tentuar që t’i transferoj me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.