Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit me fushatë për cilësinë e ajrit në Kosovë

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK), ka filluar një fushatë për cilësinë e ajrit në Kosovë.

Përmes një komunikate për media, AMMK-ja e ka cilësuar si shqetësim serioz nivelin e ndotjes së ajrit në Kosovë, ndërsa ka treguar se si mund të ndihmojnë qytetarët për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend.

“Duke reduktuar konsumin tonë të energjisë, duke përdorur transportin publik dhe duke adoptuar praktika të qëndrueshme në jetën tonë të përditshme, ne të gjithë mund të bëjmë pjesën tonë për të ndihmuar në mbrojtjen e mjedisit tonë dhe të shëndetit të komuniteteve tona” – thuhet në komunikatë.

“Për më tepër, ne mund të mbështesim përpjekjet e qeverisë për të promovuar energji dhe transport më të pastër dhe t’i mbajmë bizneset dhe industritë përgjegjëse për reduktimin e ndikimit të tyre mjedisor”.

AMMK-ja ka thënë se ndotja e ajrit është një ndër problemet më të mëdha mjedisore në Kosovë.

Grimcat PM janë një nga ndotësit më shqetësues në ajër, sipas AMMK-së.

“PM i referohet një përzierje grimcash të ngurta dhe të lëngshme që janë pezull në ajër, të njohura si PM10 dhe PM2.5.  Në Kosovë, burimet primare të PM i atribuohen aktiviteteve njerëzore siç janë dhe prodhimi i energjisë nga thëngjilli, transporti, aktivitetet industrial dhe djegjet e vogla nga amvisëritë dhe shërbimet. Gjatë muajve të dimrit, nivelet e PM në Kosovë priren të jenë më të larta për shkak të djegies së thëngjillit, drurit dhe biomasës tjetër për ngrohje dhe për prodhim të energjisë” – thuhet tutje komunikatë.

Sipas AMMK-së, efektet e PM në shëndetin e njeriut janë të dokumentuara ku tregojnë që ekspozimi afat shkurtër ndaj PM, sipas AMMK-së, mund të shkaktojë acarim të syve, hundës dhe fytit, si dhe të përkeqësojë gjendjen e frymëmarrjes.

“Ekspozimi afatgjatë ndaj PM shoqërohet me rrezik të shtuar të kancerit të mushkërive, sëmundjeve të zemrës dhe sulm në tru”.

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë është agjenci qeveritare përgjegjëse për monitorimin e cilësisë së ajrit dhe ofrimin e informacionit për publikun. Të dhënat e mbledhura nga AMMK ndihmojnë në identifikimin e burimeve të ndotjes së ajrit dhe vlerësimin e efektivitetit të masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Përveç monitorimit të cilësisë së ajrit, AMMK gjithashtu kryen kërkime dhe ofron asistencë teknike për të mbështetur zhvillimin e politikave dhe programeve për reduktimin e ndotjes së ajrit në Kosovë.