Srebrenicë Foto: Beta/AP

Deputetë Serbë Kërkojnë Rezolutë Gjenocidi për Srebrenicën

Dy fraksione pakicash në parlament, njëri i përbërë nga Partia Liberale Demokratike dhe Partia për Veprim Demokratik e Sanxhakut, tjetri i përbërë nga Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës dhe Partia e Gjelbër, dorëzuan një propozim të mërkurën për miratimin urgjent të një rezolute për gjenocidin në Srebrenicë.

Të dy fraksionet, të cilët kanë një total prej 11 deputetësh në parlamentin 250-vendesh, gjithashtu dëshirojnë që përvjetori i vrasjeve masive nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995 të përkujtohet zyrtarisht në Serbi çdo vit.

Rezoluta e propozuar “dënon gjenocidin në Srebrenicë, çdo mohim të gjenocidit dhe e shpall 11 korrikun Ditën e Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë”.

Deputetët e dy fraksioneve thanë në një deklaratë se ata duan që parlamenti “të hedhë një hap të madh drejt zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura midis Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës, dhe myslimanëve serbë dhe boshnjakë”.

“Njohja e gjenocidit në Srebrenicë është një hap i qytetëruar që Serbia duhet ta ndërmarrë për të konfirmuar seriozitetin e përpjekjes për të ndërtuar dialog, bashkëpunim, besim dhe paqe të qëndrueshme në rajon, bazuar në pranimin e akteve të kryera në të kaluarën, duke u përballur me të kaluarën dhe angazhim në drejtësi, mbështetje për viktimat si bazë për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon,” thuhej në rezolutën e propozuar.

Teksti i rezolutës gjithashtu “shpreh keqardhje për të gjitha viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi, si dhe për familjet e tyre, dhe i fton të gjitha vendet fqinje që të vazhdojnë të ofrojnë drejtësi dhe mbështetje afatgjatë për të mbijetuarit, përfshirë ata që kanë qenë viktima të dhunës seksuale”.

Çedomir Jovanoviq, kryetari i Partisë Liberale Demokratike, LDP, tha për kanalin televiziv rajonal N1 se ai do të marrë pjesë në përkujtimoren e përvitshme të gjenocidit më 11 korrik të këtij viti në Srebrenicë.

Të hënën, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha se ai nuk do të marrë pjesë në përkujtimoren në Bosnje më 11 korrik, sepse ai nuk dëshiron të shkaktojë ndonjë problem.

Njoftimi i tij erdhi pasi kryetari i komunës së Srebrenicës, Camil Durakoviq, tha se njerëzit që mohojnë gjenocidin nuk janë të mirëpritur në këtë ngjarje. Serbia nuk i njeh masakrat si gjenocid.

Vuçiq tha se ai e kishte kuptuar mesazhin.

“Ne nuk do të hapim probleme dhe do ta pranojmë idenë se nuk jemi të mirëpritur në Srebrenicë,” tha ai.

“Ata janë gjithmonë të mirëpritur në Serbi,” shtoi ai.

Megjithatë, Durakoviq e ka mohuar që deklarata e tij kishte si synim zyrtarët shtetërorë serbë.

Masakrat janë përcaktuar si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe gjykatat shtetërore boshnjake. Por ky përkufizim është kontestuar fuqishëm nga zyrtarët serbë dhe serbë të Bosnjës, të cilët pretendojnë se krimi nuk përbën gjenocid.

Në mars të vitit 2010, parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë që dënon masakrën e Srebrenicës, por nuk arriti ta quante krimin gjenocid.

Korrikun e kaluar, një rezolutë që i dënon masakrat e Srebrenicës në vitin 1995 si gjenocid nuk arriti të miratohej në OKB, pasi Rusia, aleatja e Serbisë, e cila ka të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, votoi kundër saj.