Denoncuesit të Korrupsionit i Refuzohet Ndërtimi

Hasan Berisha nga Xërxa e Rahovecit që dëshiron të ndërtojë në një pronë të tij në dalje të Gjakovës në drejtim të Prizrenit, tregon se iu refuzua leja e ndërtimit, sipas tij pas një varg shkeljesh procedurale të Drejtorisë së Urbanizmit.

Ai thotë për KALLXO.com se i shtyrë nga ish-drejtori i Urbanizmit Xhelal Hoxha për të marrë lejen e ndërtimit, bëri vetë zgjidhjen urbanistike për pronën e tij, edhe pse pretendon se të tjerëve nuk u është kërkuar kjo.

“Pasi u këshillova dhe e pashë të arsyeshme që ishte me ligj që rreth ni pronës ku duhet të ipet leje ndërtimi duhet të ketë një zgjidhje urbanistike 50 deri në 200 metra, e pranova edhe pse mu dok njëfarë diskriminimi se në atë pjesë një fqinj i imi veç kishte leje ndërtimi paraprake nga urbanizmi pa zgjidhje urbanistike, por vendosa dhe e gjeta një firme prestigjioze në Prishtinë e cila është e specializume për zgjidhjet urbanistike gjë që edhe e bëri,” tha Berisha.

Ai tregon se leja e ndërtimit iu refuzua pastaj papritur nga ushtruesja e detyrës së drejtorit të urbanizmit Elida Bejtullahu gjatë një takimi që Berisha kishte me të.

“Unë e mora edhe projektuesin që kishte bërë projektimin, bëmë një takim zyrtar për t’i sqaru dhe shpjegu mundësitë ligjore që kishin mbetë. Ajo [Elida Bejtullahu] për habi vendosi që të bëjë refuzimin me një thënie ironike se unë do ta shkeli ligjin për të mos marrë një përgjegjësi,” sqaron Hasan Berisha.

Elida Bejtullahu, ushtruesja e detyrës së drejtores së Urbanizmit thotë se lëndën e Berishës e ka trashëguar nga përbërja e mëparshme e drejtorisë, ndërsa tregon arsyen pse refuzoi lejen e tij të ndërtimit.

“Në bazë të rrethanave që unë i kam vlerësu bashkë me urbanistin I cili është bartës I landës, sepse unë si ushtruese e drejtorit nuk i zgjidhi vetë landët por i trajtoj, se në fund të fundit duhet me i miratu, ose me i refuzu, e kam konsideru që nuk kemi kushte për me jap një lejim të kërkuar,” tha Elida Bejtullahu.

Bejtullahu bën me dije se leja për pronën ku Berisha dëshiron të ndërtojë ishte proces më i komplikuar se zakonisht.

“Kemi të bëjmë me 3 situata të ndryshme, e para është kemi një rrugë regjionale Gjakovë-Prizren e cila do të zgjerohet, e dyta në fqinjësi ka prona private të banorëve të cilët faktikisht kanë banim individual dhe e treta prapë në fqinjësi ka pronën e 3-4 ish ndërmarrjeve të kohës së socializmit. E ka planifiku objektin komplet përgjatë kufinit me pronën që është ish-çerdhe e fëmive dhe është nën menaxhimin e AKP-së,” sqaron Bejtullahu.

Ajo thotë se Berishës iu refuzua leja edhe për faktin se ai planifikon të ndërtojë në tërë hapësirën e pronës, ndërsa sipas saj Drejtoria e Urbanizmit lejon ndërtime të tilla vetëm në 60 për qind të pronës.

Por Hasan Berisha thotë se zyrtarët komunalë të Gjakovës nuk po i japin leje, duke iu hakmarrë për një denoncim korrupsioni që rezultoi me largimin nga puna dhe gjykimin e ish-drejtorit të Kadastrës Skender Sina.

“Unë kam denoncu korrupsionin në vitin 2006-2007 dhe në atë kohë është arrestu dhe largu nga puna ish-drejtori i Kadastrës Skender Sina dhe kjo është pjellë e asaj kohe pasi që pothuaj gjithë zyrtarët komunalë në këto branzha duke nisë prej urbanizmit, komunë, kadastër vijnë nga rrethi dhe shoqëria e tij, po ashtu edhe nga rrethi familjar, janë miqësi, janë kolegë pune dhe ma bëjnë këtë për shkak se unë si denoncues I korrupsionit të mos stimulohem dhe të mos ketë të tjerë që flasin kundër korrupsionit, kam këtë përshtypje,” thotë Berisha.

Skender Sina u lirua nga akuza për mitmarrje në tetor 2014 pas dhjetë vjetësh të kaluar nëpër gjykata. Lënda ndaj tij rrezikonte të vjetërsohej, por pas një emisioni të “Drejtësisë në Kosovë”, u caktua seanca ndaj tij.

http://kallxo.com/pas-10-viteve-gjykim-lirohet-skender-sina/

Ryshfeti në Gjakovë

Ushtruesja e detyrës së drejtores së Urbanizmit në Gjakovë Elida Bejtullahu mohoi se pati presione nga ndokush, apo çfarëdo prapavije kur vendosi të refuzojë lejen e ndërtimit të Hasan Berishës.

Berisha thotë se pas refuzimit të lejes u ankua në Ministrinë e Ambientit, ndërsa kjo ministri i kërkoi informata shtesë Drejtorisë së Urbanizmit në Gjakovë, por sipas tij shkresat e saj drejtuar komunës nuk arritën te Urbanizmi i Gjakovës.

Ai tregon se shkoi në Ministrinë e Mjedisit dhe verifikoi komunikimin e saj me kabinetin e kryetares Mimoza Kusari-Lila.

Pastaj Berisha bën me dije se pasi nuk pati ndonjë zhvillim tjetër rreth lejes së tij të ndërtimit, u ankua përsëri në ministri.

KALLXO.com siguroi një vendim të Ministrisë së Ambientit e cila urdhëron Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjakovës që ta rishqyrtojë lëndën e Hasan Berishës dhe t’i pranojë kushtet ndërtimore të propozuara për parcelën kadastrale për ndërtimin e objektit banesor-afarist.

Në vendim ministria gjen shkelje në lidhje me anulimin e lejes së ndërtimit të Berishës, ndërsa konstaton se vetëm dy pronarë parcelash pranë tokës së Berishës kundërshtojnë ndërtimin që ai synon ta bëjë.

“Bazuar në dokumentacionin zyrtarë të pronësisë lëshuar nga Zyra Kadastrale Gjakovë me dt.20.05.2016 në kuadër të diametrit prej 50 m përfshihen 18 parcela kadastrale prej të cilave kushtet e propozuara nga investitori i kanë kundërshtuar vetëm dy pronarë,” thuhet në vendim.

Pasi Drejtoria e Urbanizmit nuk i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Ambientit, ministria për këtë çështje i ka shkruar kryetares së Gjakovës, duke i kërkuar masa disiplinore ndaj ushtrueses së detyrës Elida Bejtullahu.

“Komuna e Gjakovës është e obliguar që ta zbatojë vendimin e lëshuar nga MMPH për rishqyrtim të lëndës dhe të shfuqizohet konkluzioni i lëshuar nga DUMM për pezullim të procedurës. Gjithashtu Kryetarja e Komunës së Gjakovës të ndërmarrë masat e parapara ligjore ndaj UD Drejtorit DUMM,” thuhet në shkresën e ministrisë.

Këtë shkresë të ministrisë kryetarja Mimoza Kusari-Lila e konsideron vetëm rekomandim kur flet për KALLXO.com.

“Letra e Ministrisë është e karakterit informues dhe si e tillë nuk prodhon asnjë efekt apo pasojë juridike. Rrjedhimisht, në mungesë të pasojave të tilla, i njëjti nuk mund të kundërshtohet në ndonjë procedure gjyqësore,” thotë Kusari-Lila.

Ajo tregon se komuna është duke përgatitur përgjigjen për Ministrinë e Ambientit, në të cilën edhe njëherë do të sqarohen pengesat objektive rreth lëshimit të lejes së ndërtimit në pronën e Hasan Berishës.