Greg Delawie, Ambasador i SHBA-ve në Kosovë. Foto: Kallxo.com

Delawie Mirëpret Punën e Komisionit për Matjen e Territorit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka thënë se e mirëpret punën profesionale të Komisionit për Marrëveshjen e Demarkimit të Kufirit dhe ka theksuar se e dënon çdo kërcënim drejtuar zyrtarëve publikë rreth votës së tyre për Marrëveshjen e Demarkacionit.

“Mirëpres punën profesionale të Komisionit për Marrëveshjen e Demarkimit të Kufirit dhe dënoj çdo kërcënim drejtuar zyrtarëve publikë rreth votës së tyre për Marrëveshjen e Demarkacionit. Kjo është e papranueshme në demokraci”, ka shkruar Greg Delawie në profilin e tij në “Twitter”.

Sipas draft-raportit të Komisionit qeveritar për Matjen e Territorit Kosova nuk ka humbur asnjë metër territor me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Sipas të gjeturave të draft-raportit, Kosova ka një territor prej 10,905.25 kilometrash katrorë.

Opozita në Kosovë, por edhe ekspertë dhe deputetë edhe të pozitës nuk pajtohen me vijën e caktuar kufitare me Malin e Zi.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, Komisionin qeveritar e quajti joserioz dhe jokompetent.

http://kallxo.com/bulliqi-komisioni-per-matjen-e-territorit-joserioz/

Marrëveshja e demarkacionit doli para deputetëve, por u tërhoq më 1 shtator 2016.

http://kallxo.com/qeveria-terheq-demarkacionin-nga-rendi-dites/

Kjo marrëveshje është paralajmëruar të dërgohet përsëri në Kuvend gjatë marsit të këtij viti.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një intervistë për KALLXO.com të publikuar të martën, tha se raporti për matjen e territorit do t’i shkojë Kuvendit, përpara se në legjislativ të dërgohet përsëri marrëveshja që përcakton vijën kufitare me Malin e Zi.

http://kallxo.com/isa-mustafa-shperfill-gazin-lotsjelles-dhe-thirrjet-per-doreheqje/