Greg Delawie

Delawie: Ekstremistët i Kanë në Shënjestër të Rinjtë e Pakënaqur

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie duke folur për raportin e UNDP-së në lidhje me faktorët shtytës që ndikojnë në rritjen e radikalizmit, tha se ekstremistët e dhunshëm vazhdojnë të përhapin rrëfime të cilat në shënjestër i kanë të rinjtë.

“Ky raport vë në pah se ekstremistët e dhunshëm vazhdojnë të përhapin rrëfimet e tyre, ta porosisin ideologjinë e tyre, për t’i vënë në shënjestër të rinjtë e pakënaqur, të papunë, ose pa ndjenjën që përkasin diku”, tha Delawie.

Ambasadori deklaroi më tutje se për të luftuar problemin global të radikalizmit, është shumë me rëndësi që të gjithë të ndërmarrin hapa të bashkërenditur.

Delawie shtoi se institucionet duhet të punojnë që të parandalojnë ekstremistët për të frymëzuar apo rekrutuar të rinjtë për dhunë.

“Për të qenë tërësisht efektivë, ne duhet t’i parandalojmë ekstremistët që të mos i radikalizojnë, rekrutojnë dhe frymëzojnë të tjerët për dhunë”, tha Delawie.

Ambasadori tha se raporti i UNDP-së tregon edhe shkaqet që i motivojnë individët për të luftuar në një vend e luftë të huaj.

“Ky raport na ndihmon për të mësuar shkaqet që i motivojnë individët për ta lënë vendlindjen e tyre për të luftuar në një konflikt të huaj dhe do të duhet të mundësonte hartimin e programeve më të përshtatshme dhe më efektive për parandalimin, por edhe për të ndërhyrë në ndalimin e radikalizmit”, tha në mes tjerash Delawie.

Sipas tij, duhet të vazhdojë investimi në të rinjtë, në mënyrë që këta të fundit të mos përkulen para presioneve të radikalëve.

“Duhet të vazhdojmë të investojmë në të rinj për të siguruar që të mos përkulen para këtyre presioneve dhe duhet të investojmë në komunitetet që të ofrojmë burimet e duhura për t’u përballur me radikalizimin”, u shpreh Delawie.

Në po këtë konferencë, kreu i qeverisë, Ramush Haradinaj tha se Kosova është e gatshme për t’i riatdhesuar luftëtarët e kthyer nga Siria.

http://kallxo.com/ramush-haradinaj-kosova-e-gatshme-ti-riatdhesoje-luftetaret-e-kthyer-nga-siria/

UNDP-ja publikoi sot raportin me titull “Të Kuptuarit e Faktorëve Shtytës dhe Tërheqës: Intervistat me Luftëtarët e Huaj të Kthyer dhe Familjet e Tyre”