Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Siguria publike e Shtimes dhe sfida për psikologët

Komuna e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje këtë vit ka pasur buxhetin më të lartë në historikun qeverisës komunal të Komunës së Shtimes. 

Afër 9 milionë euro është buxheti i këtij viti i Komunës së Shtimes. 

Kur doktori Qemajl Aliu në vitin 2021 për herë të parë po kandidonte për të marrë drejtimin e Komunës së Shtimes ishte përkujdesur që të mos jepte premtime lidhur me sigurinë publike. 

Asokohe, në një debat në KALLXOPernime, Qemajl Aliu kishte thënë se do të jetë në kontakt me instancat e sigurisë në nivel lokal dhe qendror. 

“Ne do të jemi vazhdimisht në kontakt me instancat e sigurisë në nivel lokal dhe nivel qendror por edhe me komunitetin dhe qytetarë dhe proporcionalisht me ndodhitë që mund të ndodhin do t’iu përgjigjemi në mënyrë profesionale”, kishte thënë shkurt Aliu më 1 tetor 2021. 

Në kuadër të sigurisë publike, Komuna e Shtimes në vitet 2022-2023 nuk ka ndarë mjete buxhetore për kamera të sigurisë.

Kontrata e fundit është ajo e vitit 2019 në të cilën përmes procedurave të e-prokurimit është bërë vendosja e kamerave të sigurisë në tërë qytetin e Shtimes. Tenderi ka kushtuar mbi 23 mijë euro. 

Nga kjo Komunë thonë se për këtë vit ka planifikuar ndriçim në fshatrat: Daviodoc,Godanc, Vojnovc, Rashincë, Mollopolc dhe në Shtime ku vlera e përafërt është 70.000 euro.

Në anën tjetër, Komuna e Shtimes ka nevojë që të rrisë edhe numrin e psikologëve nëpër shkolla. 

Shtimja me një popullësi afër 28 mijë banorë, ka 11 institucione shkollore dhe vetëm 3 psikologë. 

“Aktualisht kemi 3 psikologë (Agime Hasani-Roshaj, Floreta Abazi dhe Bedrije Amrushi). Kemi gjithsej 11 institucione arsimore. Për sivjet nuk kemi të planifikuar për angazhim asnjë psikolog.Do të ishte e mjaftueshme të kemi të punësuar edhe 3 tjerë” – ka thënë zëdhënësja e Komunës së Shtimes, Anita Kurti.

Duke i atribuar sigurisë publike, Komuna e Shtimes ka planifikuar të ndajë një buxhet prej 100 mijë euro.

Këto mjete do të përfshijnë sinjalizimin vertikal dhe horizontal që janë të funksion të sigurisë publike.

“Për vitin 2023-2024 kemi planifikuar një buxhet prej 100 mijë euro, në kontratën kornizë kemi të përfshirë sinjalizimin vertikal dhe horizontal që janë të funksion të sigurisë publike”- ka thënë Kurti. 

Me një çështje tjetër të cilën planfikojnë të merren është trajtimi i qenve endacak. 

Nga Komuna e Shtimes kanë deklaruar se kanë rritur buxhetin në kornizën buxhetore 2023-2025, për këtë vit janë paraparë 5960€ për trajtimin e qenve endacak. 

Komuna e Shtimes ka hapur tender më 14 shkurt 2023 me titullin “Trajtimi i Qenëve endacak në Komunen e Shtimës, vakcinimi, dehelmetizmi , matrikukimi dhe kastrim i tyre”.

Vlera e parashikuar e tenderit është 5,960 euro. Kriteri i dhëniës është çmimi më i ultë.

Kohëzgjatja e këtij tenderi është nga 13 mars deri 31 tetor 2023. 

Në qeverisjen e kryetarit Qemajl Aliu në korrik të vitit 2022 është mbajtur mbledhja e kuvendit komunal në të cilën si pikë të rendit ishte informatë e përgjithshme nga Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi.

Kryetari Aliu rreth këtij raporti ndër të tjerash theksoi se kanë mbajtur dy mbledhje në kuadër të këtij këshilli, në muajt maj dhe qershor, dhe  konstatuar se situata e sigurisë në këtë komunë ka qenë stabile dhe pa problematika të mëdha, me konkluzionet që të rritet bashkëpunimi me institucionet qendrore që siguria të jetë në nivel. 

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Shtimes  është themeluar në muajin mars 2022.