Delawie, Deputetëve: Marrëveshja Është e Saktë, Votojeni

Ambasadori i Shteteve të bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dha një mesazh që duket të jetë i fundit para se marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të votohet nga deputetët e Kuvendit.

Në një paraqitje para gazetarëve në hollin e Kuvendit, Delawie porositi deputetët që të votojnë në favor të marrëveshjes të cilën e quajti “të drejtë” dhe “të saktë” ndërsa ftoi politikanët për kompromis në arritjen e këtij qëllimi.

“Jam i lumtur që jam në Kuvendin e Kosovës. Jemi këtu për t’i nxitur të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës për të votuar për marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Kjo është marrëveshje është e drejtë, është e saktë, e kemi thënë më herët. I nxis poashtu të gjithë politikanët që të bëjnë kompromis për ta arritur votën “po” lidhur me këtë sepse duhet gjithashtu që ta mbajmë mend se cili është qëllimi i fundit me këtë marrëveshje që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes për qytetarët kosovarë. Abstenimi apo vota kundër, në thelb, është votë kundër kësaj marrëveshjeje prandaj i nxisim edhe një herë deputetët që të punojnë për ta arritur votën ‘pro’ marrëveshjes”, tha Delawie.