Komisioni per Bujqësi...

Daut Haradinaj paralajmëron shkarkimin e ministrit Rikalo nëse nuk raporton në komision

Kryetari i komisionit për Bujqësi, Daut Haradinaj (AAK), ka paralajmëruar që nëse ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo, nuk do të raportojë në këtë komision për dëmet që janë shkaktuar nga shiu kohëve të fundit, do të shkarkohet.

Ky reagim i Haradinaj vjen pas kërkesës së deputetit të PDK-s Adnin Hoti, për ta ftuar ministrin Rikalo në Komision. Hoti tha se e ndjen për obligim ta ftoj ministrin në komision duke e ditur që janë bërë dëme të mëdha në Komunën e Rahovecit, ndërsa Lufti Zharku deputet i LDK-së reagoi duke thënë që ministri nuk vjen.

“Tash mos ta kthejmë në muhabet këtë punë, ne do ta thërrasim ministrin, ministri ka me ardhë këtu hiq mos t’jua nin për atë punë. Ose vjen ose shkarkohet, njëra prej dyjave”, tha Haradinaj.

Andin Hoti propozoi që ta ftojnë ministrin në Komision e më pas edhe t’i vizitojnë vendet që u janë shkaktuar dëme.

“Unë kërkoj ta ftojmë ministrin e Bujqësisë Rikalon por edhe sekretarin e Ministrisë së Bujqësisë. Ne e kemi obligim me thirr, nëse s’vjen aj marrim masa të tjera, me kërku cilët janë hapat konkret për mi ndihmu qytetarët e Kosovës për dëmtimet që iu janë bërë”, tha Hoti.

“Po propozoj edhe si komision nuk ish kanë keq me shku edhe mi vizitu bujqit që janë dëmtu shumë prej ngjarjeve të fundit prej fatkeqësive natyrore”, tha Hoti.

E deputeti Zharku tha se Ministri nuk vjen. Ai paralajmëroi që nëse nuk vjen ministri do ta ftoj kryeministrin.

“Unë po du me ju ruajt juve se aj nuk vjen e kur nuk vjen aj unë e thirri kryeministrin ose zv/kryeministrin se s’mundet me ma dërgu aj një drejtor”, tha Zharku.