Foto: KALLXO.com

Dardan Sejdiu: Të publikohet kontrata me Bechtel- Enka për autostradën

Deputeti i Partisë Social demokrate, Dardan Sejdiu, i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që ta publikojë kontratën me kompaninë Bechtel-Enka për autostradën Prishtinë- Hani i Elezit.

Në interpelancën për 53 milionë eurot gjobë që Kosova ia pagoi kësaj kompanie muajin e kaluar, Sejdiu tha se çdo debat pa e parë kontratën, është i pakuptimtë.

“Si mund të vlerësohet një marrëveshje e tillë pa e lexuar kontratën. Ne nuk e kemi të qartë, nuk e kemi parë kontratën që e kanë nënshkruar dy palët. Kontratën për autoudhën unë nuk e kam parë si deputet. Kontrata e lexuar, së bashku me raportin e Hill International do të na bënte të qartë situatën”, tha ai.

“Ka ekzistu një zarf, një marrëveshje për 14.7 milionë euro dhe kjo marrëveshje nuk është finalizu dhe kemi përfundu këtë 14.7 që është bërë 53 milionë euro. Ministër publikoje atë kontratë, t’i shohim punët që janë bërë dhe ta kuptojmë qysh është trajtu kjo punë”, tha Sejdiu.

Dardan Sejdiu, PSD

Ndërsa deputeti i vetëvendosjes, Liburn Aliu, iu përgjigj Haradinajt i cili e akuzoi VV-në se është bërë palë me LDK-në në interpelancën e sotme.

“Nuk jemi të pozicionuar as me LDK as kundër dikujt. Dëshira më e madhe e imja kishte me qenë që në këtë interpelancë të mos kem ku të kapem”, tha Liburn Aliu.

“Nuk mund të hesht kur e shoh që 53 milionë euro të buxhetit janë nënshkruar dhe janë dhënë pa asnjë procedurë të rregullt. Ky 14.7 milionëshi ka mujtë të bëhet 16.6 por asnjëherë 53 milionë”, tha Aliu.

Liburn Aliu, VV