Seanca gjyqësore për "53-milionëshin", Foto: KALLXO.com

Nuk sigurohet prezenca e pronarit të "Bechtel-Enka" për të dëshmuar në gjykimin ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve lidhur me 53 milionëshin

Në gjykimin ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Nehbi Shatri, Eset Berisha dhe Besim Tahiri për keqpërodrim të detyrës zyrtare, në lidhje me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë Bechtel- Enka, nuk është arritur të sigurohet prezenca e pronarit të kompanisë në fjalë dhe udhëheqësit të kompanisë mbikqyrëse, Hill International.

Pronari i kompanisë Betchel & Enka, Riyadh Alkhazaraji dhe udhëheqësi i kompanisë mbikqyrëse për projektin ku parashihej ndërtimi i autostradës “Arbën Xhaferi”.

Sipas prokurorit Special, Atdhe Dema kanë arritur që të kontaktojnë me udhëheqësin e ekipës së kompanisë Hill International dhe me të njëjtin kanë ngelur në fazën ku i njëjti duhet të deklarohet për mundësinë se kur mundet të paraqitet në Gjykatë për të dhënë dëshminë si dhe a mund të paraqitet.

Kurse për pronarin e kompanisë Bechtel & Enka, prokurori u deklarua se nuk kanë arritur që të kontaktojnë më të njëjtin.

Në këto rrethana, prokurori Dema propozoi që deklarimet e dëshmitarëve të dhëna në polici të konsiderohen të lexuara. Lidhur me këtë kundërshtime paraqitën mbrojtja e të akuzuarve duke kërkuar nga prokuroria që dëshmitarët që i ka propozuar në aktakuzë të vijnë në gjykatë për të dëshmuar.

Gjykata mori vendim që të refuzoj propozimin e prokurorisë, duke i obliguar të njëjtit që të bëhet përpjekje për sigurimin e dëshmitarëve që të dëgjohen në këtë gjykim.

“Gjykata merr aktvendim, tani për tani refuzohet propozim i prokurorit të Prokurorisë Speciale, obligohen prokurorët e prokurorisë speciale që brenda intervalit kohor gjatë seancave të këtij shqyrtimi gjyqësor të tentojnë përmes ndihmës juridike ndërkombëtare me qëllim të dëgjimit të dëshmitarëve me qëllim që të kenë mundësi mbrojtja të bëjnë pyetje dhe kundërshtimet për dëshmitarët”- tha gjyqtarja Violeta Namani.

Përndryshe në këtë seancë për herë të parë të pranishëm janë dy prokurorët Atdhe Dema dhe Valdet Gashi.

Dy prokurorët Atdhen Dema dhe Valdet Gashi në seancë
Dy prokurorët Atdhen Dema dhe Valdet Gashi në seancë

Edhe në sesionin e pasdites prokurori ka elaboruar provat të cilat përfshihen në aktakuzë.

Të njëjtat janë kundërshtuar nga mbrojtja e të akuzuarve. Madje, avokatët mbrojtës kanë propozuar disa prova të tjera.

Mbrojtësi i të akuzuarit Besim Tahiri, avokati Urim Vokshi, ka bërë propozimin që të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit eksperti financiar Agim Sheqiri.

Si dëshmitar tjetër për t’u dëgjuar është propozuar edhe një përfaqësues nga AKPP.

Propozimi për dëgjimin e ekspertit financiar, Agim Sheqiri, nuk u kundërshtua as nga Prokuroria Speciale që përfaqësohej nga Atdhe Dema dhe Valdet Gashi.

Mbi këto rrethana, gjyqtarja Violeta Namani mori vendim duke i aprovuar propozimet që si dëshmitarë të dëgjohen Agim Sheqiri dhe një zyrtar nga institucioni i AKPP-së.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 1 dhjetor të këtij viti.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.