LIVE - Si u hetua rasti i 53 milionëshit?

Gjykata e Prishtinës më 26 të këtij muaji ka shpallur fajtor ish-ministrin e infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarin e tij politik, Eset Berisha, sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrin dhe drejtorin e prokurimit publik, Besim Tahiri.

Këta u dënuan për pagesën prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel & Enkas” për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’.

Kjo temë u diskuata edhe në emisionin “#KallxoPernime këtë të premte.

Ish ministri i Pal Lekajt, Eset Berisha, i cili u dënua me 3 vjet e 3 muaj tha se vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare parasheh dënim maksimal deri në 5 vjet.

Ai ka shtuar se ata janë akuzuar dhe dënuar për këtë vepër, pra për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Ne jemi akuzuar, gjykuar dhe dënuar për keqpërdorim detyre, për vendimin që është marr nga Qeveria e Kosovës për pagesën e 53 milionë eurove. Ministria e Infrastrukturës ka qenë vetëm një nga anëtarët e Komitetit ndërministror i themeluar nga qeveria. Negocimi është bërë në vitin 2018, në maj është mbajtur një takim ku ka qenë i pranishëm edhe kryeministri me stafin dhe ministrat ku është marr vendim që të kërkohet një opinion ligjor”- tha Berisha.

Ai në emisionin #KallxoPernime, ka shpjeguar kronologjinë për kontratën me kompaninë “Bechtel & Enka”.

“Në shtator 2017 është nënshkruar zgjatja e afatit të kontratës për 11.3 muaj pa u definuar kostoja pasi deri në atë momente kanë qenë 4 muaj deri në përfundim të kontratës. Pal Lekaj ka ardhur në zyrë në 10 ditëshin e parë të muajit shtator, derisa nënshkrimi për zgjatje është bërë më 27 shtator 2017 si rezultat i presionit për t`u bërë kjo zgjatje. Presioni ka ardhur nga kontrata me “Bechtel & Enkan” pasi janë paraparë 42 muaj për përfundim të kontratës për 600 milionë euro, deri në shtator 2017 janë shpenzuar rreth 300 milionë euro, nuk ka pas alokime të mjeteve për të punuar kompania”- tha tutje ai.

Sipas tij, dëmi ka ardhur si rezultat i mosalokimit të mjaftueshëm të mjeteve, duke i dhënë të drejtë “Bechtel & Enkas” që të kërkojë zgjatje të afatit.

“Kostoja e zgjatjes ka qenë 14.70 milionë euro e dakorduar në vitin 2016, kjo marrëveshje nuk është nënshkruar ashtu siç e ka vlerësuar kompania mbikëqyrëse “Hill International”. Derisa, në vitin 2017 ka qenë ky katër muajsh dhe kontraktori nuk është pajtuar më me atë shumë pasi ka dështuar pala tjetër”- tha tutje Berisha.

Ai tutje tha se në shkurt të 2018-tës kishte ardhur kërkesa e “Bechtel & Enkas” me 53 milionë, por në dhjetor e kanë dorëzuar një dokument me 63 milionë ku ia kanë llogaritur kostot, shpenzimet indirekte.

“Ata janë thirrur në dëmin që ia ka shkaktuar qeveria e Kosovës në atë që në drejtësi njihet si ‘pritjet legjitime’ [pasi pritjet e tyre kanë qenë që t`i marr 600 milionë euro deri më 1 janar 2018, qeveria ia ka dhënë vetëm 300 milionë. Atëherë është nënshkruar zgjatja e afatit të kontratës, por jo kostoja pasi nuk janë pajtuar me atë 14.7 milionë më”- tha tutje ish këshilltari i Pal Lekajt.

Ai ka treguar për takimin e Komitetit ndërministror në të cilin kishte qenë pjesë edhe kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj.

“Më 31 maj 2018 është mbajt takimi i komitetit ndërministror ku ka marr pjesë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ku edhe është kërkuar një opinion ligjor i Ministrisë së Infrastrukturës për të siguruar opinion. Ajo që ka thënë Avdi Kamerolli nuk është e vërtetë, madje shefi i kabinetit Argjend Zejnaj ka qenë dëshmitar kundër asaj që është thënë”

“Ne e kemi përcjellur kërkesën e kryeministrit për të siguruar opinion ligjor brenda 24 orëve, ai ka thënë se nuk e ka kontratën dhe e ka të vështirë ta bëjë këtë. Mandej ia kemi dhënë dosjet, kontratën dhe gjithë shkresat. Ai i ka dhënë dy opinione. Në të parin ka thënë se kontrata e nënshkruar në vitin 2017 pa definim të kostos është në përputhje të plotë me ligjin në fuqi, e për këtë kontratë edhe akuzohen Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri. Mandej e ka shtuar një klauzolë për shfajësim ku ka thënë se “opinionet tjera sqaruese duhet të kërkohen nga departamenti publik dhe nga përgjegjësit për menaxhimin e kontratës”- ka sqaruar Berisha.

Ai është pyetur se cili ishte roli i tij në takimet që ministri Lekaj i kishte me përfaqësues të “Bechtel & Enkas”.

Berisha u përgjigj se për shkak të gjuhës angleze të cilën nuk e kuptonte ministri i atëhershëm, Pal Lekaj.

“Vetëm si këshilltar i ministrit kam qenë, e dini që secili ministër e ka nga një këshilltar nëpër takime. Kam marr pjesë në takime për me përkthy sepse ministri nuk ka ditë në gjuhën angleze”- ka deklaruar Berisha.

Ndërsa Kreshnik Gashi, nga Kallxo.com ka pyetur nëse Ministria e Infrastrukturës ka qenë në dijeni që Avdi Kamerolli, zyrtari ligjor i MI-së, ka shkuar në polici?

“Nuk është hetu kurrqysh, në 2017 ka nisur procesi, askush nuk ka masa të fshehta, askujt nuk i janë hapur kontot apo bastisur shtëpitë, konto e Bechtel & Enkas nuk është e hapur. Kush ka përfituar nga këto para shtesë, pasi as në aktakuzë nuk janë, kush janë konsulentë të kësaj kompanie. Ky rast është mbyllur pa u hetuar”- ka thënë Gashi.

Fjala përfundimtare në aferën e 53-milionëshit, Prokuroria kërkon dënim maksimal për Pal Lekajn dhe të tjerët

Pal Lekaj, ish-ministri i Infrastrukturës, tani deputet i AAK-së kishte reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore që e shpalli atë fajtor për rastin e “53-milionëshit”.

Zyra për Media e AAK-së ka dërguar një reagim të deputetit Pak Lekaj pas shqiptimit të dënimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Lekaj përmes këtij reagimi, paralajmëroi ankimim të vendimit në Gjykatë të Apelit, duke thënë se është i bindur që vendimi do të shpallet i pavlefshëm.

 

Reagon Pal Lekaj: Jam i bindur në pafajësinë time dhe në drejtësi