Çoçaj e Buduri me Deklarata Kundërthënëse

Krasniqi është vëllai i gruas së Shaip Budurit, ndërsa Buduri drejtor në Gjimnazin “Gjon Buzuku” të Prizrenit.

Në këtë gjimnaz pa konkurs ishte punësuar Krasniqi për të dhënë lëndën e gjuhës shqipe, pasi arsimtari i mëparshëm kishte dalë në pension.

Buduri tha se Besnik Krasniqi me shkrim i ishte drejtuar atij si drejtor i gjimnazit që të marrë orët e gjuhës shqipe, ndërsa tregoi se e ka drejtuar në DKA duke mos i dhënë leje as me shkrim dhe as gojarisht që të marrë këto orë.

I akuzuari Buduri e pranoi se nuk është hapur konkurs për orët e kësaj lënde.

“Jo nuk është shpallë konkursi, kam kërkuar nga DKA që të shpallet konkursi për orët e gjuhës shqipe. Unë nuk kam pasë kompetenca ligjore që t’ia ndaloj mosdhënien e mësimit në gjimnaz, përderisa kur e kam pyetur mësimdhënësin se kush të ka sjellë për t’ i mbajtur orët më është përgjigjur se e kam miratimin nga Drejtoria e Arsimit,” tha Buduri.

Buduri, po ashtu tha se meqë Besnik Krasniqi nuk është punësuar me konkurs nuk i ka përpiluar të njëjtit kontratë për pagesë, të cilën do ta nënshkruante DKA-ja.

Ndërsa i akuzuari tjetër Nexhat Çoçaj në deklaratën e tij tha se asnjëherë nuk i ka thënë Besnik Krasniqit që të shkojë t’ i mbajë orët nga lënda e gjuhës shqipe në gjimnazin “Gjon Buzuku”.

“Unë nuk kam dhënë asnjë pëlqim as me gojë dhe as me shkrim që Besnik Krasniqi t’ i mbajë orët e gjuhës shqipe në gjimnazin ‘Gjon Buzuku’, përkundër deklaratave të tij që thotë se ka biseduar në zyrën time gjë që nuk qëndron, ngase biseda është bërë në një vend tjetër, biseda është zhvilluar në zyrën e partisë dhe aty nuk kam deklaruar asnjëherë që t’ i marrë apo mos t’ i marrë orët, nuk jam deklaru fare,” tha Çoçaj.

Sa i përket mosshpalljes së konkursit, Çoçaj tha se drejtori i gjimnazit e kishte sjellë kërkesën vetëm për 16 orë, e jo për normë të plotë qysh e kishte pasur mësimdhënësi që kishte dalë në pension.

“Unë kam pasë njohuri se në gjimnaz ka dalë në pension një mësimdhënës me normë të plotë dhe kam kërku nga stafi i gjimnazit që t’më japë sqarime se pse nuk janë 20 orë, po janë 16 orë dhe kjo është arsye se pse nuk është shpallë në konkursin e parë, kjo është arsyeja sepse kanë mungu orët,” sqaroi Çoçaj.

Për më tepër, Çoçaj mohoi të jetë takuar ndonjëherë me drejtorin e gjimnazit Shaip Budurin për këtë punë dhe që ky i fundit t’ i kishte përmendur shpalljen e konkursit për gjuhë shqipe.

Çoçaj, tha se pas pesë muajve ka lidhur kontratë pune për mesimdhënësin Besnik Krasniqi. Këtë tha se e ka bërë pasi që është siguruar që nuk po e shkelë ligjin dhe pasi kishte marrë rekomandimin nga drejtori i Departamentit Për Arsimin Parauniversitar, me të cilin rekomandohej që të sistemohen si mësimdhënës drejtorët e shkollave.

Nga shtatori i vitit 2013, deri më muajin shkurt të vitit 2014, Çoçaj tha se nuk ka qenë në dijeni që Besnik Krasniqi ka qenë duke punuar në gjimnaz. Këtë tha se e ka kuptuar më 2 shkurt 2014, atëherë kur kishte lidhur kontratë me të.

Seanca e radhës ku do të jepet fjala përfundimtare e palëve, do të mbahet më 11 maj 2016.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Shaip Buduri derisa kryente detyrën zyrtare si drejtor i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe privilegjeve lidhur me punësimin e profesorit B.K. (vëlla i bashkëshortes) së të pandehurit, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin e Arsimit të Kosovës, i ka mundësuar që pranë gjimnazit “Gjon Buzuku” nga fillimi i vitit shkollor 2013/2014 deri më datë 04.02.2014 t’i mbajë orët e gjuhës dhe letërsisë shqipe,” thuhet në aktakuzë.

Ndërsa i pandehuri Nexhat Çoçaj, sipas aktakuzës, derisa kryente detyrën zyrtare si drejtor ne Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prizrenit po ashtu ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin tjetër, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke e nënshkruar kontratën për punësim, nga data 04.02.2014 në vendin e punës profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe personit B.K. nga Prizreni, pa shpallur konkurs për vendin e punës duke shkelur seriozisht të drejtat e personit tjetër,” thuhet në dispozitivin e aktakuzës.

Çoçaj është duke u gjykuar edhe për dy raste të tjera të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar në këtë gjykatë, për të cilat KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi.

http://kallxo.com/nje-muaj-paraburgim-per-drejtorin-e-arsimit-ne-prizren/