Foto: Dega e AAK-së në Prizren/Facebook

Propozohet ndryshimi i emrit të AAK-së

Partia e Ramush Haradinajt në kuvendin e radhës mund ta ndërroj emrin, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Aleanca Nacional Demokratike (ADN).

Kështu ka propozuar Kuvendi i Degës së AAK-në në Prizren në një mbledhje të fundit të mbajtur më 28 maj 2023.

Kryetari i degës, Besnik Krasniqi tha se tashmë i kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe diskutimet për ndryshimet statusore e politike të subjektit të AAK-së.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u themelua para më shumë se dy dekadave, në vitin 2000. Që nga formimi, AAK ka ‘zot shpie’ Ramush Haradinajn.

“Kryesia e degës së Aleancës dhe unë si kryetar i saj kemi filluar një fushatë konsultimi me të gjithë akterët relevantë duke u nisur nga konsultimi me kryetarin Haradinaj dhe personalitete tjera me rëndësi brenda subjektit tonë, ku kemi hasur në mirëkuptim dhe mbështetje për nismën tonë” – ka thënë Besnik Krasniqi.

“Të shqyrtojë propozimin për fillimin e procedurës së ndryshimit të emrit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Aleanca Nacional Demokratike (ADN)” – ka thënë ai gjatë mbledhjes ku i pranishëm ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Përveç emrit, ndryshime priten edhe në programin e partisë.

“Bazuar në emrin e saj, Aleanca Nacional Demokratike dhe frymën e nacional demokracisë të bëjë ndryshimin e programit dhe statutit të partisë” – ka thënë Krasniqi.

Ndryshimet në statut e emër të parisë i ka mirëpritur edhe shefi i AAK-së.

“Është  guxim i madh, por edhe sfidë për ne ndërrimi i emrit të subjektit politik, mirëpo besoj se është edhe koha ta mendojmë këtë gjë. Kjo nuk vendoset nga unë sot, por në një kuvend pune të AAK-së” – citohet të ketë thënë Haradinaj.