AAK: Fondi Sovran në kundërshtim flagrant me Kushtetutën

Projektligji për Fondin Sovran është në kundërshtim me Kushtetutën, përkatësisht me nenin 10, ku Kosova determinohet si vend i ekonomisë së lirë.

Kështu tha Besnik Krasniqi nga Aleanca për Armdhërinë e Kosovës (AAK) në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai shtoi se në bazë të Projektligjit, Qeveria përcaktohet si pronare të vetme e Fondit.

“100% e aksioneve janë në pronësi të Qeverisë megjithatë kjo pronësi mund të çojë në joefikasitet dhe abuzime të mundshme nga pushteti për shkak se një model të tillë tashmë jemi duke e parë në 23 vitet e fundit me ndërmarrjet publike. Kjo nuk ndryshon vetëm sa e fuzionon gjithë potencialin e këtyre ndërmarrjeve në një grup të vetëm të njerëzve” – tha tutje Krasniqi.

Ai shtoi se ky Projektligj është edhe në mospërputhje me Ligjin për konkurencën e lirë ekonomike.

“Unë jam për rikonstrukturim të këtyre ndërmarrjeve  të mëdha publike edhe në formë të partneritetit publiko-privat, si formë e efikasitetit të këtyre ndërmarrjeve” – tha Krasniqi

Ai ka shtuar se ky Fond është një hap ‘drejt socializimit të ekonomisë së Kosovës’.

“Imagjino ky Fond do të jetë në konkurrueshmëri të plotë me një biznes privat, i cili s’do të ketë asnjë mundësi me i dalë përballë një Fondi kaq të madh investiv. Ideja e fuzionimit të ndërmarrjeve të mëdha në një të madhe siç është ky Fond do t’i largojë nga sfera e konkurrueshmërisë kompanitë private sepse në punët e tyre ky Fond ka mundësi me i integru asetet ose me i transferu nga një ndërmarrje në një tjetër” – shtoi Krasniqi.

“Mendoj që Qeveria përmes këtij Fondi ka mundësi me abuzu më shumë sesa që është duke abuzu sot” – tha më tej Krasniqi.

Ndryshe, në mars të këtij viti është hartuar një draft i Projektligjit për Fondin Sovran.

Fondi Sovran, siç premtonte Kurti, do të zëvendësojë Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), duke marrë në menaxhim ndërmarrjet publike në vend, të cilat aktualisht menaxhohen nga AKP.

Kurti kishte thënë se Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik që është bërë ndonjëherë në Kosovë.

“Ndërmarrjet tona publike, të cilat nuk operojnë më me humbje si në të kaluarën, së bashku me 24 mijë asete të tjera do barten nga Qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kjo e bën Qeverinë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur, duke na vendosur në hartën e tregjeve botërore financiare”- ka thënë Kurti.

 

Kurti: Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik në vend