Foto: KALLXO.com
Konsiderohet e tërhequr padia e ushtruar nga ish-kandidati i AAK-së për deputet kundër gazetarëve
Në seancën përgatitore të mbajtur sot në Gjykatën e Prishtinës është konsideruar e tërhequr padia e ushtruar nga Nehat Maxhuni kundër gazetarit Besnik Krasniqi dhe redaktorit Elmaz Isufi.
Në vitin 2019, Nehat Maxhuni kishtu ushtruar padi kundër gazetarit dhe redaktorit të gazetës “Koha Ditore” me pretendimin për shpifje dhe fyerje si pasojë e publikimit të shkrimit me titull “Kandidatët për deputet që mashtruan se janë “prof.dr.”.
Në seancë nuk u paraqit asnjëra palë ndërgjyqëse dhe as ndonjë përfaqësues i tyre.
Gjyqtarja Rrezarta Sylejmani Voca e mori vendimin përmes të cilit e konsideroi padinë të tërhequr pasi konstatoi se nuk prezantonte askush në anën e paditësit.
Kjo sepse konform dispozitave të Ligjit për procedurë kontestimore mungesa e palës paditëse në seancën përgatitore përkundër faktit se është thirrur rregullisht nënkupton tëheqjen e padisë.
Gjakatësja gjatë seancës përmendi se Gjykata ka pranuar edhe parashtresë nga ana e paditësit me të cilën është njoftuar për tërheqjen e padisë kundër të paditurve.
Çka përmbante padia?
Padia e ushtruar nga Nexhat Maxhuni kundër Besnik Krasnqit dhe Elmaz Isufit kishte të bënte me shkrimin e titulluar “Kandidatët për deputet që mashtruan se janë “prof.dr.”, të publikuar në faqe të parë.
Ajo ishte ushtruar përmes avokatit Naser Peci në tetor të vitit 2021.
Kurse, sipas padisë, në faqen e tretë të gazetës ishte shkruar “Ndërkaq Dega e AAK-së në Vushtrri e ka prezentuar kandidatin Nehat Maxhuni si “prof.dr.” ani pse nuk e mban këtë gradë””.
Padisë i janë bashkëngjitur edhe faqet e gazetës me shkrime respektive.
Në demantimin e ofruar nga Nehat Maxhuni përmes padisë ai ka argumentuar se është doktor i shkencave ekonomike nga viti 2012 të fituar në Universitetin “Alfa” në Beograd. E me vendim të Universitetit “Union Nikolla Teslla” të vitit 2019 është zgjedhur profesor i rregullt, shkruhet mëtutje në padi.
Ai përmes padisë kishte kërkuar që shpifja dhe fyerja e pretenduar të ndalohet dhe të urdhërohet publikimi i demantimit në të njëjtën gazetë, me të njëjtin format.
Gjithashtu, kishte kërkuar që të paditurit në mënyrë solidare t’ia kompensojnë shumën të cilën ishte paralajmëruar të caktohet më vonë duke e llogaritur këtu edhe kamatën prej 8 për qind prej ditës së paraqitjes së padisë.
Si janë përgjigjur palët në padi?
Në emër të të paditurve në vitin 2021 ishin dorëzuar përgjigjet në padi nga ana e shoqërisë së avokatëve “Koci dhe Vokshi”.
Ata kishin argumentuar se raportimin se paditësi nuk mban gradën “prof.dr.” e kanë bërë duke iu referuar bartësit privat të arsimit të lartë ku ai punonte, ku nuk kishte ndonjë përshkrim të gradës akademike për Maxhunin.
Mes tjerash në përgjigjen në padi thuhet se paditësi nuk i përmbush kushtet ligjore të aplikueshme në Kosovë për të bartur gradën e profesorit të rregullt si grada më e lartë akademike.
Faktin se Nehat Maxhuni po kandidatonte të bëhej deputet gazetarët e kanë konsideruar çështie të interesit publik. Sipas tyre, praktika e tillë e publikimit të arsyeshëm nga mediat mbështetet edhe nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.