Çaushi: Kauza Opozitare Është Rrezikuar

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Çaushi ka deklaruar sot se kauza opozitare është rrezikuar nga moskoordinimi i veprimeve opozitare.

Në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, Çaushi tha se veprimet e njëanshme, të cilat sipas tij janë përsëritur disa herë, kanë bërë që të humbet besimi dhe bashkërenditja tek opozita.

“Aktualisht aktiviteti opozitar e ka humbur bashkërenditjen. Veprimet e njëanshme, të cilat kanë qenë të përsëritura disa herë me radhë, e kanë tronditur besimin tonë tek disa prej figurave të subjekteve të tjera opozitare. Në opozitën e bashkuar gjithçka që ne kemi kërkuar ka qenë që vendimet t’i marrim së bashku cilat do që të jenë ato vendime. Kohët e fundit është parë që jo të gjithë kanë dëshirë që veprimet të jenë të koordinuara dhe të përbashkëta. E kjo sigurisht e ka rrezikuar kauzën opozitare”, ka thënë Çaushi.

Çaushi, i cili e ka marrë fjalën në vend të kryetarit Visar Ymeri pasi ky i fundit ka pasur probleme shëndetësore, ka thënë se muajt e fundit falë punës së palodhshme të të gjithë aktivistëve e mbështetësve të LVV-së, Lëvizja është rritur.

Me këtë rast, ai falënderoi deputeten Donika Kadaj-Bujupi, e cila sot ka zyrtarizuar kalimin në Vetëvendosje.