Radovan Karaxhiq në gjykatë, Foto: ICTY

Caktohet për në Prill Seanca e Apelit për Radovan Karaxhiqin

Seanca e Apelit në çështjen kundër ish-liderit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i cili u dënua për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në një vendim të shkallës së parë, do të mbahet në fund të prillit.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare njoftoi se Karaxhiq dhe ekipi i tij mbrojtës do të paraqesin apelin e tyre kundër dënimit të tij për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit më 23 prill.

Prokurorët në gjykatën e OKB-së në Hagë do të dorëzojnë ankesën e tyre ditën e nesërme.

Gjykata e Hagës e dënoi Karaxhiqin me 40 vjet burg për gjenocid në Srebrenicë, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës me një fushatë bombardimi dhe sulmi me snajper si edhe për marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

I njëjti vendim e liroi Karaxhiqin nga akuzat për gjenocid në disa komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.

Apeli i prokurorisë kërkon që Karaxhiqi të shpallet fajtor për gjenocidin e vitit 1992 dhe të dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa ish-lideri politik serb i Bosnjës dhe avokatët e tij kanë thënë se do të kërkojnë lirimin e tij nga akuzat.

Kryetari i gjykatës së OKB-së, Theodor Meron, ka lejuar një kërkesë nga ana e Karaxhiqit që të flasë gjatë seancës së apelit.