Burri Rrah Gruan dhe Vjehrrën

Policia e Kosovës njofton se dje pasdite ka ndaluar një person nga Parteshi nën dyshimin se ka ushtruar dhunë familjare.

Sipas raportit të përditshëm të Policisë, personi i dyshuar, pjesëtar i komunitetit serb, pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe nënën e saj.

Viktimat kanë pësuar lëndime të lehta trupore për çka u është ofruar tretman mjekësor.

Ndërsa, me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

Në raportin e saj, Policia e Kosovës njofton edhe për një akt dhune në familje që ka ndodhur në Istog. Një mashkull i komunitetit shqiptar është arrestuar pasi që ka sulmuar fizikisht babanë e tij.

Sipas Policisë, i dyshuari ka probleme shëndetësore dhe është përdorues i substancave narkotike. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Po ashtu, një rast i dhunës në familje ka ndodhur edhe në Malishevë. Pas një mosmarrëveshje burri ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore, për çka është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, në Prishtinë. Me urdhër te prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.