I Burgosuri Boshnjak ‘u Detyrua ta Puthë një Kokë të Prerë

 

Ish-ushtari serb i Bosnjës Miodrag Samaç tha në gjykatën e Sarajevës të mërkurën se gjatë kohës që mbahej peng nga njësia “El Mujahedeen” të Ushtrisë Boshnjake në Zavidovici në korrik 1995, ai u sulmua dhe u detyrua të puthte kokën e prerë të një të burgosuri tjetër të vrarë.

Samaç dëshmoi se ai u zu rob më 21 korrik 1995 pranë Vozucas në komunën Zavidovici nga luftëtarët “El Mujahedeen”.

“Menduam se ata ishin anëtarë të Ushtrisë Boshnjake. Megjithatë, ata nuk ngjanin si njerëz që këtu. Ata kishin mjekra të gjata dhe nuk e flisnin gjuhën tonë,” tha Samaç.

Ai tha se më pas, bashkë me të burgosur të tjerë, u çua në Livade, ku ata u mbajtën të lidhur në një shtëpi.

“Ata na rrahën ndërkohë që na lidhnin. Na shkarkuan rryma elektrike dhe ndërkohë që na rrihnin, e filmonin këtë gjë me një kamerë. Humba ndjenjat me një tel rreth qafës dhe duart e këmbës të lidhura,” tha ai.

Dëshmitari tha se të burgosurit nga Livade u çuan në kampin “El Mujahedeen” në Gostovici më 23 korrik 1995.

“Ata na çuan në mes të fushës, midis tendave të bardha, na pështynë dhe rrahën,” tha ai.

“Një natë na thanë të shtriheshim përmbys dhe na lidhën sytë. Më pas një nga të burgosurit, Gojko Vujiciç, tha se ai do t’i vriste të gjithë. Dëgjuam një të shtënë arme, dikë që tha “Allahu Ekber” dhe një zhurmë të mbytur,” shtoi ai.

Pasi iu zgjidhën sytë, Samaç u detyrua të puthte kokën e prerë të Vujiciç, tha ai.

“Koka u soll në dhomën ku rrinim ne,” shtoi ai.

Ish-komandanti i Korpusit të Tretë të Ushtrisë Boshnjake, Sakib Mahmuljin, po gjykohet për mos parandalim të vrasjeve dhe trajtimit çnjerëzor të civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës nga ana e anëtarëve të njësisë “El Mujahideen” në fshatin Vozuca në vitin 1995 apo t’i ndëshkonte ata për atë që bënë.

Sipas akuzave, vullnetarët islamikë vranë më shumë se 50 të burgosur serbë në Vozuca. Disave prej tyre iu prenë kokat dhe ato ia treguan të kapurve të tjerë.

Aktakuza pretendon se Mahmuljin nuk mori masa për të parandaluar krimet, edhe pse ai ishte informuar se anëtarë të njësisë po përgatiteshin për të kryer krimin dhe nuk bëri asgjë për të ndëshkuar autorët e krimit.

Një tjetër ish-ushtar serb i Bosnjës, Velibor Tesiç, dëshmoi gjithashtu në seancën dëgjimore të ditës së mërkurë dhe tha se ai ishte arrestuar dhe transferuar në Livade dhe më pas në Gostovici.

Ai konfirmoi se luftëtarët e “El Mujahedeen” vranë Vujiciçin dhe i prenë kokën.

Gjyqi vazhdon më 13 korrik.