Bujqit paralajmërojnë protestë kundër qeverisjes Haradinaj

Drejtuesit e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj dhe punën e saj në sektorin e bujqësisë.

Kryetari i FSBK-së, Tahir Tahiri në konferencë për media është shprehur se bujqit dhe fermerët po përballen me shumë probleme, që sipas tij buxheti i ndarë për bujqësi po keqpërdoret.

“Kemi ankesa të mëdha të bujqve e të fermerëve se po ballafaqohen me vështirësi të mëdha në prodhimtarinë e bujqësisë. Problemet që po ballafaqohemi janë, mungesa e investimeve të qeverisë së Kosovës në bujqësi pavarësisht që është ndarë një buxhet i dinjitetshëm, ai buxhet po keqpërdoret nga ministria e bujqësisë dhe agjencia për zhvillimin e bujqësisë. Keqpërdorimet janë te grandet dhe subvencionet, grandet po u epen njerëzve që nuk e meritojnë dhe në bazë të projekteve që nuk realizohen kurrë”, ka  thënë Tahiri.

Ai ka thënë se problem tjetër po paraqet edhe konkurrenca nga importi me çmim të ulët.

“Tjetër problem që po e shoqëron është edhe konkurrenca e jashtëzakonshme nga importi e cila po e shkatërron bujqësinë, po na vinë produkte bujqësore prej importit me çmime jashtëzakonisht të ulëta dhe në këtë mënyrë po na bëjnë konkurrencë dhe bujqit tanë nuk po mund ta mbulojnë koston e prodhimtarisë, nuk kanë as përfitime por as nuk mund të mbulohen”, tha ai.

Para ndërtesës së Qeverisë paralajmëroi edhe organizimin e protestave për rrëzimin e Qeverisë, për të cilën tha se nuk po krijon perspektivë për bujqit.

Përveç kësaj, Tahiri ka konfirmuar se do të marr pjesë në protestën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për ditën e shtunë, kundër presidentit Thaçi.