Pamje nga takimi i ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj me ambasadorin britanik, Ruairi O'Connell - Foto: MPJ

BREXIT Nuk e Zbeh Mbështetjen Britanike për Kosovën

Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk do të ndikojë në partneritetin dhe mbështetjen e këtij shteti për zhvillimin e Kosovës si shtet evropian, ka thënë ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.

“Kosova ka një prespektivë evropiane dhe euro- atlantike dhe gjithmonë ideja ka qenë që do të ishte mirë për Kosovën edhe për rajonin nëse Kosova zhvillohet si shtet demokratik dhe evropian dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në atë drejtim”, deklaroi ambasadori, i cili u prit nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sipas shefit të diplomacisë kosovare në takim me ambasadorin O’Connell është diskutuar rreth bashkëpunimeve të mundshme në nivel ndërkombëtar.

Po ashtu, Hoxhaj theksoi se Kosova është e vendosur për integrim në BE, që sipas tij nuk ndikon në marrëdhëniet e vendit me Britaninë e Madhe.

“Ne mbesim të vendosur në rrugën tonë evropiane dhe do të shohim se si do të jetë raporti në të ardhmen në mes të Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian mirëpo Kosova nuk e ka humbur një partner”, tha ai.

Ministri gjithashtu tha se demarkacioni me Malin e Zi është në interesin e Kosovës sepse sipas tij e ndërkombëtarizon kufirin.

Ndërkaq, ambasadori O’Connell, bëri thirrje për shqyrtim të fakteve për çështjen e demarkacionit dhe diskutimin e tyre në debat publik.

“Duke folur për demarkacionin do të kisha lutur qytetarët e Kosovës të bëjnë vetëm një gjë: të konsiderojnë çështjen në bazë të fakteve. Kemi parë se çfarë po ndodhë në Evropë nëse debatet zhvillohen për shkak të thashethemeve dhe gënjeshtrave. Do ta lusja edhe Qeverinë që të bëjë një debat publik dhe të furnizojë qytetarët me fakte”, kërkoi O’Connell.