Kryeministri britanik, Boris Johnson.

“Turbulenca” në raportet Britani e Madhe-Francë për shkak të licencave për peshkim

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka pranuar “turbulencat” në marrëdhëniet e vendit të tij me Francën, ndërsa mosmarrëveshja për të drejtat e peshkimit përshkallëzohet, raporton BBC.

Pasi dhjetëra anijeve franceze iu mohuan licencat e peshkimit pas Brexit për ujërat e Mbretërisë së Bashkuar dhe Jersey, Franca kërcënoi të bllokonte portet për anijet britanike.

Por Johnson i tha BBC-së se gjërat që bashkonin Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën ishin më të rëndësishme se ndarjet e tyre.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se mosmarrëveshja ishte një provë e besueshmërisë globale të Mbretërisë së Bashkuar.

Franca ka thënë se do të marrë “masa të synuara” kundër Britanisë së Madhe nëse mosmarrëveshja për licencat e peshkimit nuk zgjidhet deri të martën.

Një zëdhënës i Doëning Street tha se qeveria ishte e përgatitur të vazhdonte të punonte me Francën për të lëshuar më shumë licenca, por nëse Franca do të vazhdonte me kërcënimet e saj, Mbretëria e Bashkuar do të “vepronte në një mënyrë të kalibruar”.