Bogujevci i reagon Brovinës: Çdo viktimë duhet të trajtohet me dinjitet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, në seancën ku po diskutohet për themelimin e komisionit shtetëror për Tribunalin Ndërkombëtar ka reaguar pas publikimit të fotografisë që dëshmon dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina.

Ajo kërkoi që një gjë e tillë të mos ndodhë më, pasi sipas saj çdo viktimë duhet të trajtohet me dinjitet.

“Ju kisha lutur të keni kujdes mënyrën që mos me lënë ajo çka ndodhi ma herët me fotografi, është tepër me rëndësi që çdo viktimë dhe çdo familjar të trajtohet me dinjitet. Nuk guxojmë me leju gjëra të tilla më”, tha ajo.

Deputetja e cila ishte viktimë e luftës po ashtu tha se ideja e Veselit për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar duhet të jetë e sigurt, pasi sipas saj familjet e kanë parë si shpresë.

“Të krijosh një Tribunal Ndërkombëtar janë disa procedura, duhet të ketë një kërkesë në OKB, duhet një rezolutë në OKB që ta lejon formimin e një tribunali dhe kjo merr kohë dhe duhet përkrahje. Ne nuk jemi anëtar të OKB dhe kemi shtete të saj që nuk na përkrahin por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të punojmë në atë drejtim, nuk guxojmë të japim deklarata pa qenë të sigurt në këto procese se kjo ka ngjallë shpresën e familjarëve”, tha ajo.

Bogujevci u shpreh kundër që deputetët të jenë pjesë e dokumentimit të krimeve serbe në Kosovë.

“Nuk mundemi ne si deputetë të merremi me hulumtime për krimet e luftës, nuk e kemi atë ekspertizë as shoqëria civile e as familjarët, duhen institucion që merret specifikisht për këtë çështje që e bënë dokumentimin dhe arkivimin dhe e kemi një adresë të caktume, duhet të fuqizohen institucionet”, tha ajo.

“Nuk mundemi me funksionu me një prokurore që merret me krime të luftës. Nëse ne i fuqizojmë institucionet tona që merren me këtë çështje, mendoj se kemi bërë një punë të madhe”, shtoi deputetja e VV-së.

“Duhet patjetër instituti të themelohet nëse doni përnjëmend me m’shti me besu e keni seriozisht edhe po dëshironi me bë diçka, merruni me institucionet tona që me mbërri me i gjyku krimet e luftës në Kosovë”, tha deputetja.

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina sot  shfaqi një fotografi ku shihej dhunimi i një gruaje kosovare nga forcat serbe.

Për këtë pati reagime nga Prokuroria Speciale e Kosovës, shoqëria civile dhe ish-presidentja, Atifete Jahjaga.

Prokuroria Speciale nis hetimet për fotografinë e publikuar nga Flora Brovina

Rrjeti i Grave: Deputetja Brovina nuk ka kontribuar në arritjen e drejtësisë përmes veprimit të saj

Jahjaga i reagon Flora Brovinës: E turpshme, jonjerëzore dhe joligjore publikimi i fotografisë

.