BERZH dhe Kosova me bashkëpunim për rrugën Kijevë – Zahaq dhe disa projekte tjera

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një takimi me delegacionin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH),  të kryesuar nga zëvendës presidenti i parë i BERZH-it, Jurgen Rigterink u zotuan që të vazhdojnë bashkëpunimin.

“Të dyja palët u zotuan në implementimin e projekteve infrastrukturore, si rehabilitimi i rrjetit hekurudhor Hani i Elezit – Prishtinë, rruga Kijevë – Zahaq, ndërlidhja e Kosovës me gazsjellësin TAP, implementimi i projekteve për trajtimin e ujërave të zeza derisa në fokus të Qeverisë do të jetë ndërtimi i digave për rritjen e kapacitetit ujor të Kosovës dhe projekti Unaza e jashtme e qytetit të Prishtinës”, është thënë në një komunikatë dërguar medieve.

Sipas kësaj komunikate, Haradinaj e ka njoftuar Rigterink për të arriturat e Kosovës dhe përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, për stabilitetin makrofiskal dhe për angazhimin e institucioneve të Kosovës në fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit.

Haradinaj ka falënderuar Rigternik dhe BERZH-in për përkrahjen e projekteve zhvillimore të Kosovës në fushat si zhvillimi i sektorit privat, zhvillimi i sektorit të energjisë dhe zhvillimi i ndërlidhjes infrastrukturore të Kosovës me vendet në regjion.

Më tej, ai ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të BERZH-it, në  projekte që do të fuqizonin zhvillimin e zonave industriale, për korporatat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të rritur produktivitetin dhe përmirësuar cilësinë, ndërmarrjet eksportuese dhe fusha tjera të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies sociale për qytetarët dhe stabilitetin e bizneseve në Kosovë.

Nga ana e tij, zëvendës presidenti i parë të BERZH-it, Jurgen Rigterink, ka vlerësuar progresin  Kosovës duke thënë se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në zhvillimin e projekteve dhe investimeve për të ardhmen.