BE kritikon deklaratat e Haradinajt dhe Lumezit ndaj Elez Blakajt

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës ndaj prokurorit të dorëhequr Elez Blakajt.

BE thotë se po ndjek nga afër çështjen e prokurorit Elez Blakaj.

“Pavarësia dhe autonomia e gjyqësorit, përfshirë prokurorinë, është e një rëndësie vendimtare në këtë kontekst dhe duhet të sigurohet”, thuhet në reagimin e kësaj zyre.

BE i bën thirrje të gjithëve që të përmbahen nga ndonjë sulm kundër institucioneve të sundimit të ligjit, duke përfshirë komentet personale dhe shpifëse ndaj prokurorëve individualë ose gjyqtarëve.

“Deklaratat e disa politikanëve dhe prokurorëve të Kosovës në këtë drejtim minojnë parimet kryesore të sundimit të ligjit. Për më tepër, ato gjithashtu dërgojnë sinjale dekurajuese për të gjithë zyrtarët gjyqësorë që merren me raste të ndjeshme dhe të rëndësishme. BE përsërit se hetimet në pritje duhet të vazhdojnë me profesionalizëm dhe në respekt të plotë të sundimit të ligjit, pa asnjë ndërhyrje”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së.

Kryeministri Ramush Haradinaj, prokurorin Blakaj e kishte quajtur “pishpirik”, ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli e kishte cilësuar Blakajn të paguximshëm.

Prokurori Elez Blakaj përmes një letre publike kishte deklaruar se ishte kërcënuar nga kryeprokurori Aleksandër Lumezi për trajtimin e rastit të manipulimeve me lista të veteranëve të luftës.