Gjykimi i ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit | Foto: KALLXO.com

Basri Muja Pyet Hetuesin për 3 Persona që i Quan Sekserë

Në gjykimin e ish zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, dëshmoi polici hetues Ridvan Obërtinca.

Obërtinca kishte qenë polici hetues i këtij rasti ku tanimë Basri Muja, Ferdije Zhushi dhe Armend Muja po ngarkohen nga prokuroria për marrje ryshfeti.

Të gjithë patën rastin t’i parashtronin pyetje dëshmitarit lidhur me dokumentet dhe masat e përgjimit të cilat ishin bërë në fazën e hetimeve, para se të ngrihej aktakuza ndaj tani tre të akuzuarve.

Sipas dëshmisë, rasti ka filluar kur drejtori i kolegjit ISPE, Avni Mazreku, që është i dëmtuar në këtë proces gjyqësor, ka raportuar në polici për favoret ndaj zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Pastaj hetuesin policor Obërtinca i akuzuari Basri Muja e pyeti se a ishte kureshtar të niste hetimet edhe ndaj tre personave tjerë qëmuja i quajti sekserë.

“Siç po potencohet edhe në shënimin zyrtar, prokurori nuk e ka parë të arsyeshme që edhe për të njëjtit të na japë autorizime për intervistimin e tyre në çfarë do cilësie”, u përgjigj Obërtinca.

Prokurori Abdurrahim Islami e pyeti pastaj dëshmitarin Obërtinca se pse nuk janë hetuar kolegjet tjera private dhe ata që Basri Muja po u referohet si sekserë.

Dëshmitari e pati përgjigjen e njëjtë edhe për Islamin- tha se prokurori nuk e ka parë të arsyeshmne që ata të hetohen.

Më tej, avokati i Ferdije Zhushit, Gëzim Kollçaku, e pyeti policin hetues se a keni pasur ndonjë arsye që dëshmitarin Avni Mazreku ta intervistoni disa herë, por që vetëm në deklaratën e fundit mbas 16 muajve e ka përmendur për herë të parë emrin e Ferdije Zhushit?

E përgjigjja e policit hetues për këtë ishte se ka qenë kërkesë e prokurorit që Mazreku të merret në pyetje edhe për Zhushin.

Avokati Kollçaku vazhdoi duke e pyetur Obërtincën se gjatë përpilimit të transkriptit në lidhje me kolegjin “Universum”, a e ka vërejtur se Zhushi ka marrë kërcënime tërë kohën nga i njëjti kolegj dhe i ka thënë të akuzuarit tjetër, Basri Mujës se “po më bojnë presion tërë kohën me kërcënime”.

E për këtë, polici Obërtinca tha se duhet të jetë në shkresat e lëndës te prokurori.

I akuzuari tjetër, Armend Muja ia kujtoi dëshmitarit arrestimin në sy të gazetarëve, duke thënë se ishte e panevojshme një skenë e tillë mediatike për një akuzë të para pesë vjetëve.

Obërtinca gjatë dëshmisë së tij foli edhe për përgjimet ambientale të cilat janë bërë gjatë fazës së hetimeve, njëra ndër to ishte kur tani i dëmtuari Avni Mazreku kishte pranuar që të takohej përsëri me Naim Brahën, ish të akuzuarin në këtë proces.

E për këto përgjime ambientale, Armend Muja kërkoi nga polici hetues që t’i tregojë trupit gjykues “vetëm një rast ku Muja implikohet në krimet të cilat i ka pretenduar në kallëzim penal”.

“Gjatë vëzhgimit është hasë në takime të shpeshta mes Armend Mujës dhe Basri Mujës afër banesës ku banon Basri Muja në një restorant aty afër dhe në banesën e tij”, shtoi Obërtinca.

Armend Muja më pas e pyeti policin hetues se a është dëgjuar nëpër përgjime që u është referuar Basri Mujës a Ferdije Zhushit që të ndërhyjë te persona të caktuar apo të kërkojë shuma të caktuara parash.

Rreshteri dhe hetuesie policor Obërtinca kësaj pyetjeje iu përgjigj se nuk i kujtohej një gjë e tillë gjatë përgjimeve.

Obërtinca përmendi deklaratën e një dëshmitari që e implikonte Armend Mujën në marrjen e parave për të përgatitur një raport akreditimi.

“Në deklaratën e dëshmitarit Driton Ajeti deklarohet se Basri Muja e ka kthy atë raport fillestar [të akreditimit]duke i thënë që Armend Muja ta përgatitë këtë sepse është ekspert në këtë çështje”, tha hetuesi Obërtinca.

Ai më pas tregoi se dëshmitari kishte thënë që vetëm për logo të këtij raporti i kishte dhënë 5 mijë euro.

“Ai deklarohet se ka taku Armend Mujën dhe i kishte dhënë 5.000 euro vetëm për logon në fillim e jo për substancën e raportit, që do të thotë e ka dërguar të njëjtën për 5000 euro dhe të njëjtën e ka pranuar Basri Muja”, u përgjigj Obërtinca.

E në fund, avokati i Basri Mujës, Bajram Tmava, tha në gjykatore se dëshmia e dëshmitarit Obërtinca, nuk korrespondon me provat në shkresat e lëndës.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje, ndërsa Naim Brahës, i cili akuzohej për veprën penale të dhënies se ryshfetit, i është parashkruar lënda .

Në kohën për të cilën akuzohet, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit të kaluar, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i shikoni në këtë link.