Panairi tradicional | Foto: KALLXO.com

Bashkatdhetarët Mirëpriten me Punime e Veshje Tradicionale

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është hapur “Panairi Tradicional 2017” në të cilin do të ekspozohen punime, veshje e ushqime tradicionale nga 60 biznese të ndryshme të të gjitha viseve shqiptare për katër ditë me radhë.

Ministri nw detyrë i Diasporës, Valon Murati gjatë hapjes tha se ky panair është bërë tashmë tradicional si pjesë e aktiviteteve për t’u uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve tanë.

“Sot po e hapim panairin tradicional të veshjeve kombëtare të ushqimeve tradicionale shqiptare, i cili tashmë është bërë një aktivitet tradicional për muajt e diasporës, të cilën e kemi me moton ‘Ti je Pjesë e Atdheut’ e ku kemi mbi 60 tenda, njerëz që kanë ardhë e i ekspozojnë prodhimet e tyre nga të gjitha viset shqiptare dhe janë pjesë e mirëseardhjes për bashkatdhetarët tanë”, tha Murati.

Ky panair do të zgjasë deri me 15 korrik dhe në kuadër të aktiviteteve për mirëpritjen e bashkatdhetarëve do të jetë edhe “Sofra” që do të mbahet me 14 korrik ku do të ketë muzikë tradicionale shqiptare.

Njëra nga pjesëmarrëset e këtij panairi ishte edhe Hana Zabeli nga shoqata “Drugza” e Komunës së Skenderajt e cila tha se panaire të tilla po e ndihmojnë që t’i promovojw produktet e saj.

“Na ndihmojnë dhe shumë shpesh na ftojnë nëpër panaire dhe ne marrim pjesë se e presim panairin se nuk kemi ku tjetër t’i promovojmë produktet tona, vetëm në panaire. Për mua është hera e dhjetë që jam pjesë e panairit dhe unë jam nda e kënaqur, asnjëherë nuk kam qenë e zhgënjyer”, rrëfeu Zabeli për KALLXO.com.

Ajo tregoi se më së shumti kërkesa për veshjet e punimet tradicionale të saj ka nga të rinjtë që janë pjesë e diasporës tonë.

“Na kemi më shumë shitje prej bashkatdhetarëve, më së shumti kemi interesim prej të rinjve sesa prej të vjetërve”, tha Hana Zabeli nga shqata “Drugza”.

Kurse Afërdita Murati nga ndërmarrja prodhuese “Kastrioti” nga Komuna e Podujevës tha se për të është hera e parë në këtë panair.

“Në këtë panair kam sjellë mjedrën e freskët, xhemin e mjedrës, me sheqer dhe pa sheqer, reçelin, lëngun, mjaltën, kompotin e mjedrës, të gjitha këto prodhime nga Komuna e Podujevës. Ky është edhe një promovim për produktet, po ashtu presim edhe përfitime tona” shpjegoi Murati për KALLXO.com.

Ministri i Diasporës, Valon Murati tha se përkundër të gjitha këtyre aktiviteteve asnjëherë nuk janë të mjaftueshme ato që bëhen për diaporën.

“Gjithmonë është mirë të kemi më shumë, por është e rëndësishme që ne çdo herë jemi afër bashkatdhetarëve me aktivitetet tona të cilat pëlqehen prej tyre dhe të cilat kanë një efekt të jashtëzakonshëm”, përfundoi Murati.