Barazia Gjinore në “Kuletën" e Ministrive

Ky planifikim buxheti nënkupton inkuadrimin e barazisë gjinore në politikat zhvillimore të këtyre ministrive dhe gjatë shpenzimit të parave publike.

Presidentja Atifete Jahjaga tha se kjo është rruga drejt një shoqërie që duam ta ndërtojmë.

“Hapi i sotëm është një iniciativë pozitive e cila patjetër do t’i kontribuoj zbatimit të ligjit dhe krijimit të mundësive te reja të pjesëmarrjes sa me te madhe te grave në zhvillimin ekonomik dhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë,” tha Jahjaga.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Agani  konsideroi shumë të rëndësishëm ndarjen e buxhetit duke marrë parasysh nevojat gjinore.

“Inicimi i kësaj praktike në procedurat e përpilimit të buxhetit ku merren parasysh kriteret gjinore, në mase të madhe do të ndikojë në ndryshimin e mentalitetit të shoqërisë sonë dhe në vetëdijesimin institucional,” tha Agani.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tha se buxhetimi duhet të jetë i drejte dhe të marrë parasysh të gjitha grupet të cilat janë të nënpërfaqësuara.

“Një komponent i rëndësishëm është edhe buxhetimi gjinor, implementimi i të cilit në vende të ndryshme ka dhënë rezultate tepër të rëndësishme, duke kontribuuar në arritjen e synimit dhe ndërtimit të një shoqërie demokratike, duke bërë përfshirje të barabartë të burrave dhe grave,” shpjegoi ajo.

Drejtorja ekzekutive e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës Igballe Rogova tha se duhet një bashkëpunim më i thelluar që të realizohet barazia gjinore.

“Kjo iniciativë ia ka nisë para dhjetë vjetësh kur kemi thanë që për me realizu barazinë gjinore në Kosovë duhet partnershipi i 3 institucioneve: donatori, qeveria dhe shoqëria civile dhe sot ne e kemi dëshmuar qe kjo është e mundur,” tha Rogova.

Ligji për Barazi Gjinore në Kosovë që nga viti 2015 i obligon organizatat buxhetore që ta zbatojnë Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor. [interaction id=”56e82fcc703e265d183e404b”]