Bajrami: Shpeshherë Kemi Rehatu Militantë në Arsim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami gjatë takimit të sotëm me drejtorë komunalë të arsimit pas daljes së rezultateve të testit PISA, tha se militantët partiakë shpesh janë bërë drejtorë shkollash.

Rehatimin e militantëve ministri e pranoi kur dha sugjerime se si të p[mirësohet niveli i arsimit.

“Do të punojmë fillimisht të rrisim disiplinën në shkolla, depolitizimin e plotë të sistemit arsimor në nivel komunal, sepse e dini pakënaqësinë time nganjëherë me interferime politike në nivele të ulëta komunale, ku shpeshherë kemi zgjedhur drejtorë jokompetentë, shpeshherë kemi rahatu militantë politikë duke i bërë drejtorë, shpeshherë nuk kemi respektu kriteret për përzgjedhjen e mësimdhënësve,” tha Bajrami.

Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA) në rezultatet e testit të mbajtur vitin e kaluar radhiti Kosovën në tre vendet e fundit nga 72 sosh, sipas arritjes së 15 vjeçarëve në shkencë, matematikë dhe lexim.

http://kallxo.com/testi-pisa-77-e-nxenesve-15-vjec-sdine-lexim/

Disa ditë pas daljes së këtyre rezultateve, ministri Bajrami u ka bërë thirrje drejtorëve të drejtorive komunale të arsimit për të marrin seriozisht rezultatet e këqija të Kosovës në vlerësimin PISA.

“Përgjegjësia kryesore është te niveli komunal për arsimin parauniversitar, Qeveria ka kompetenca sa i përket legjislacionit, sa i përket buxhetit dhe politikave publike. Të takoni secilin drejtor, të takoni secilin mësimdhënës, të takoni secilin koordinator të cilësisë, të bëni një debat reflektimi dhe të mos akuzoni askënd,” tha Bajrami.

Përderisa nuk pati kohë për replikë nga ana e drejtorëve, ministri paralajmëroi takime të tjera rajonale me ta për debat në ditët e ardhshme.

“Gazeta Jeta në Kosovë”, shkroi për pritshmëritë dhe reagimet pas daljes së rezultateve të PISA-s.

Rezultatet e PISA-s për Kosovën Tronditin por Nuk Çuditin