Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Bahtiri me Dhjetë Drejtorë të Rinj në Mandatin e Dytë

Agim Bahtiri, kryetari i rizgjedhur i Komunës së Mitrovicës ka emëruar drejtorët e rinj të cilët do të jenë pjesë e kabinetit qeverisës.

KALLXO ka mësuar emrat e 14 drejtorëve të emëruar, disa prej të cilëve u është vazhduar mandati, ndërsa të tjerët janë emra të rinj që nuk kanë qenë më herët pjesë e kabinetit.

Tafil Peci është riemëruar drejtor, ndërsa Musa Dragajt, Egzon Jasharit dhe Sami Zekës u është vazhduar mandati.

Nga 14 drejtorët e Komunës së Mitrovicës, 10 janë drejtorë që për herë të parë e marrin këtë pozitë.

Drejtoria e Mjedisit do të udhëhiqet nga Asllan Isufi, Drejtoria e Prokurimit nga Bekim Muja, Drejtoria e Kadastrit nga Egzon Jashari, Drejtoria e Bujqësisë nga Ekrem Sadiku, Drejtoria e Inspeksionit do të udhëhiqet nga Hysni Ahmeti, Drejtoria e Administratës nga Hysen Muzliukaj, ajo e Arsimit nga Iset Beka, Drejtoria e Infrastrukturës dhe Shërbimeve Publike nga Naser Muja, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim nga Musa Dragaj, Sami Zeka do të jetë drejtor i Urbanizmit, Shukri Gashi i Financave ndërsa Tafil Peci i riemëruar do të jetë drejtor Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Dy drejtori në këtë komunë do të kryesohen nga gratë.

Drejtoria e Mirëqenies Sociale dhe Integrimeve Evropiane do të drejtohet nga Nazan Kërveshi e VV-së dhe Drejtoria e Shëndetësisë nga  Erseka Hasanaj nga AKR.

Pjesë e kabinetit qeverisës nuk është Partia Demokratike e Kosovës PDK, e cila tashmë ka mbetur edhe pa tre asamblistët Sami Latifi, Gani Haliti dhe Fatmir Habibaj të cilët janë përjashtuar nga grupi i këshilltarëve të kësaj partie për shkak të qëndrimit kundër partisë dhe grupit të asamblistëve.

Në mbledhjen e fundit ishte emëruar kryesuesi i kuvendit komunal Jeton Ujkani nga AKR.