Azem Syla. Foto: Kallxo.com

Azem Sylës i Zgjatet Paraburgimi

Gjykata ia ka vazhduar edhe për një muaj masën e paraburgimit Azem Sylës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Besnik Berisha, i cili mbron ish-deputetin e PDK-së dhe ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Avokati Berisha e ka quajtur vendim shabllon, të kundërligjshëm dhe në shkelje të të drejtave kushtetuese të klientit të tij.

“Ky vendim dhe kjo praktikë nuk reflekton aspak me vendimet e GJEDNj-së“, ka shtuar avokati.

“Në këndvështrimin tim Gjykata e EULEX është shndërruar në noter të kërkesave të Prokurorisë dhe nuk po e ushtron rolin e saj si organ vlerësues dhe i mbrojtjes së ligjshmërisë“, ka thënë Berisha për KALLXO.com.

Avokati tha se me të pandehurin Azem Syla po eksperimentohet.

“Frika e z. Syla dhe e mbrojtjes është se ky eksperimentim po bëhet dhe po vazhdon me qëllim që EULEX të zgjatë mandatin e tyre duke u thirrë në këtë rast etj.”, tha ai.

“Janë tejkaluar të gjitha limitet e një procesi të drejtë dhe të ligjshëm, prandaj ekziston frika se z. Syla është dënuar akoma pa u gjykuar”, shtoi avokati Besnik Berisha.

Në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve.

Po ashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.

http://kallxo.com/apeli-verteton-aktakuzen-e-rastit-toka-ndaj-grupit-te-azem-syles/