Foto-ilustrim

Avokati Kërkon Kohë për Lëndën e Rastit Apex

Seanca ndaj 11 të akuzuarve për krim të organizuar, detyrim e shtrëngim në rastin e njohur si “Apex” u shty, ngase avokati Destan Rukiqi kërkoi më shumë kohë për lexim të lëndës.

Seanca u shty më 25 tetor.

Ajo ishte ndërprerë përkohësisht që në fillim, pasi dy të akuzuar erdhën pa avokatë, ndërsa sipas veprave për të cilat ngarkohen, e kanë të obliguar mbrojtjen.

09:46

Seanca fillestare kundër 11 të akuzuarve për krim të organizuar, detyrim e shtrëngim në Rastin “Apex” u ndërpre sapo nisi, ngase dy të akuzuar nuk kishin avokatë.

Të akuzuarit Gani Zeqiraj e Mujë Berisha u paraqitën pa avokatë në seancë, për arsyen se mbrojtësit e tyre në këtë proces gjyqësor kanë vdekur.

Në këtë gjykim të akuzuarit janë të obliguar të kenë avokatë, ndërsa seanca është ndërprerë derisa Zeqirajt e Berishës t’u sigurohen avokatë sipas detyrës zyrtare nga Oda e Avokatëve.

Seanca u shty për 45 minuta.

Gjatë procesit të mëparshëm gjyqësor, avokatët e të akuzuarve kishin kundërshtuar aktakuzën dujke e cilësuar atë të pasafatshme.

Gjyqtarja e EULEX-it Katrien Witteman i kishte pranuar kundërshtimet e avokatëve duke e hedhur poshtë si të pasafatshme aktakuzën në Rastin “Apex” në dhjetor të vitit 2015.

http://kallxo.com/pushon-procedura-penale-ne-rastin-apex/

Më pas prokuroria ishte ankuar për këtë hedhje poshtë të aktakuzës në Gjykatën e Apelit, e cila Rastin “Apex” e kishte kthyer në rivendosje.

http://kallxo.com/kthehet-ne-rivendosje-rasti-apex/

Çështja pastaj shkoi në Gjykatën Supreme e cila i hapi rrugë rinisjes së procesit gjyqësor në gjykatën themelore.

http://kallxo.com/supremja-ka-vendosur-per-rastin-apex/

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzonte Arben e Astrit Krasniqin, Armend Nezirin, Mujë Berishën, Gani Zeqirin, Kushtrim Hakajn, Arsim Mulliqin, Luan Halilin, Agron Hoxhën, Ilir Morinën dhe Avni Morinën për krim të organizuar, detyrim, shtrëngim.

“Qëllimi i këtij grupi ishte përftimi material duke shfrytëzuar forcën dhe kërcënimet serioze për t’i detyruar bizneset apo individët tjerë që t’i mbyllin kazinotë e tyre, të largojnë makina të caktuara të lojërave të fatit, apo të veprojnë sipas kushteve të pafavorshme për ta”, thuhej në aktakuzë.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor.