Foto-ilustrim

Rasti ‘APEX’ Mes Lojërave të Fatit dhe Politikës

11 të akuzuar, 11 pika të akuzës, 36 dëshmitarë, 20 prej të cilëve dëshmitarë anonimë, janë të dhënat fillestare të aktakuzës së përpiluar nga prokurori i EULEX-it, Allen Cansick e cila flet për industrinë e kazinove në Kosovë.

Rasti i njohur si “APEX” është njëri ndër rastet më të përfolur që ndiqet nga EULEX, e kjo për faktin se të përfolur për lidhje me të akuzuarit e këtij rasti janë edhe figura politike të njohura në vend.

Vëllezërit Arben dhe Astrit Krasniqi sipas akuzës janë të akuzuarit kryesor të këtij rasti. Krasniqët janë deklaruar të pafajshëm në akuzat e prokurorisë për krim të organizuar lidhur me veprën penale të zhvatjes.

Të pafajshëm janë deklaruar edhe të akuzuarit e tjerë Arben Neziri, Avni Morina, Mujë Berisha, Gani Zekiraj, Kushtrim Hakaj, Agron Hoxha, Ilir Morina e Arsim Molliqaj.

Arben dhe Astrit Krasniqi akuzohen se si pronarë të lojërave të fatit “APEX”, kanë themeluar grup kriminal qëllimi i të cilit ishte përdorimi i forcës dhe kërcënimit për t’i detyruar kazinotë e tjera që të mbyllen, t’i largojnë makinat të caktuara të lojërave të fatit, ose të vazhdojnë të veprojnë sipas kushteve të cilat ishin të pafavorshme për ta.

Astrit dhe Arben Krasniqi, janë përfolur se kanë qenë financues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, ndërsa në akuzën e këtij rasti emrat Ramush e Daut përmenden disa herë.

Gazeta JNK, kohë më parë ka sjellë dy hulumtime që flasin për lidhjet e vëllezërve Krasniqi dhe Haradinajve.

Haradinat kishin pasur qëndrime të ndryshme lidhur me lidhjet e tyre me biznesin e vëllezërve Krasniqi.

Për lidhje me pronarët e APEX, në aktakuzë përfolët edhe ish ministri i financave Haki Shatri.

Shatri në një deklarim për Gazetën JNK, në shkurt të vitit 2014 kishte pranuar se ishte shoqëruar privatisht me vëllezërit Krasniqi.

Për Çka Akuzohen ?

Sipas aktakuzës së prokurorit Cansick, grupi i udhëhequr nga vëllezërit Krasniqi ka kryer një varg ngjarjesh, më e hershmja prej të cilave daton më 26 korrik të vitit 2008.

Prokuroria pretendon se me datën e sipërpërmendur në një kafene në qendër të Pejës  u raportua një sulm i armatosur.

Sipas aktakuzës, në këtë lokal kishte hyrë Krasniqi me tetë persona dhe pasi kishte kontrolluar numrin serik të një makine të lojërave të fatit, i kishte thënë njërit nga shoqëruesit që të thyente atë. Pas makinës së parë të thyer ishin thyer edhe tri makina të tjera.

Arben Krasniqi i intervistuar nga Policia, kishte mohuar që me atë datë kishte qenë pjesë e kësaj ngjarjeje.

Për kërcënime ndaj tyre, në aktakuzë përmendet edhe një dyqan në sheshin “Shkëlzen Haradinaj” në Pejë.  Sipas prokurorisë kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 2010 dhe 2011.

Në vazhdën e incidenteve të përshkruara në aktakuzë përmendet edhe incidenti i ndodhur në një hotel të  Pejës në qershor të vitit 2011 ku ndodhi një përleshje e armatosur në mes të anëtarëve të APEX/Play4Win dhe Fatmir e Mehmet Kelmendit.

Incident tjetër i përshkruar në akuzë është edhe shpërthimit në një Kazino, në Prishtinë në shtator të vitit 2008.

Sulm dhe aparate të lojërave të fatit, sipas prokurorisë pati edhe në Kaçanik më 30 maj 2010.

Kërcënime janë raportuar edhe nga dëshmitari C, ai kishte thënë se pasi nuk kishte arritur marrëveshje për aparatet APEX, në lokalin e tij kishin filluar të vinin njerëz të armatosur që ekspozonin armët e tyre.

Aktakuza përmend edhe pesë sulme të tjera në lokale të basteve në qytetin e Pejës në mes viteve 2009-2011-të

Përpos sulmeve të evidentuara në lokalet e lojërave të fatit në Pejë, prokuroria pretendon se sulme pati edhe në qytetin e Gjakovës.

Në një sulm në një lokal me 7 maj 2010, pesë persona kishin hyrë në lokal dhe i kishin thyer aparatet duke thënë “Ju nuk mund të punoni pa lejen e Krasniqëve”.

Të gjitha këto sulme sipas prokurorisë, kishin për qëllim që t’i detyrojnë bizneset apo individët e tjerë që t’i mbyllin kazinotë e tyre, të largojnë makina të caktuara të lojërave të fatit ose të vazhdojnë të veprojnë sipas kushteve të cilat ishin të pafavorshme për ato biznese mirëpo të favorshme për kazinotë e kompanisë APEX”Play4Win”.

Ldhjet e Krasniqëve me Politikën

Gazeta JNK në shkurt të vitit 2014 kishte publikuar dy hulumtime lidhur me lidhjet e Astrit e Arben Krasniqit me politikanë të fuqishëm në Kosovë, mes të cilëve edhe me Ramush e Daut Haradinaj e Haki Shatri.

AAK-Lidhja me Biznesmenin e Fuqishëm të Lojërave të Fatit

Hulumtimi i Gazetës JNK- kishte gjetur se Raporti i auditimit për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të vitit  2009, tregonte se Astrit Krasniqi kishte dhënë 5 mijë euro donacion për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës subjektin politik të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Një hulumtim tjetër i Gazetës JNK, po ashtu zbuloi qëndrimet e ndryshme të Ramush e Daut Haradinaj lidhur me Arben e Astrit Krasniqin.

Daut Haradinaj, deputet  i AAK-së në një prononcim për një televizion në Kosovë kishte thënë se nuk beson që partia e tij kishte pranuar donacione nga vëllezërit Krasniqi.

“Nuk besoj që kanë dhënë (donacione), me ligj nuk lejohet një gjë e tillë”, kishte deklaruar Haradinaj më 18 shkurt në një emision televiziv.

Hulumtimi I Gazetës JNK, kishte gjetur se ndryshe nga Daut Haradinaj, ishte deklaruar i vëllai Ramushi. Ai në një intervistë televizive më 21 maj 2010 kishte thënë se “Po janë donatorë të partisë. Realisht edhe ‘Elkosi’ edhe ‘Dukagjini’, edhe ‘Play for Ëin’ … ka edhe të tjerë që janë donatorë të partisë”,

Qëndrime Të Ndryshme të Haradinajve për Lidhjet me Apex-Play for Win

Daut Haradinaj më tej kishte shtuar se bizneset e tilla mund të operonin vetëm me mbështetjen e qeverisë.

“Nuk mundesh me i thënë një subjekti politik që është në opozitë ti ke lidhje me ta, ose i udhëheq ata… nuk munden këto natyra të bizneseve me funksionu pa e pasur mbështetjen e qeverisë… Institucionet e Kosovës u kanë dhënë licencë dhe unë në atë kohë kam qenë në burg. Unë kur kam dalë prej burgut, ata kanë qenë të pajisur me licencë”, kishte thënë Haradinaj për Gazetën JNK në shkurt të vitit 2014.

Megjithatë, nga aktakuza e rastit “APEX”, shihet se emrat e Ramushit dhe Dautit zënë vend në dhjetëra raste në transkriptet e përgjimeve mes bisedave të akuzuarve.

Profil tjetër politik që përmendet në rastin “APEX”, është edhe rasti i Haki Shatri, ish-ministër i financave nga LDk që më vonë kishte aderuar në AAK.

Shatri në aktakuzë përmendet se ka ndërmjetësuar në një rast, pas një problemi që disa nga të akuzuarit  e “Apex”, kishin me një person tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Shatri kishte qenë ndërmjetësues lidhur me incidentin e armatosur që kishte ndodhur në Pejë  më 1 qershor 2011.

Problemet  Juridike të Rastit

Arben dhe Astrit Krasniqi, së bashku me nëntë të akuzuarit  tjerë, ishin arrestuar në vitin 2013 nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës, me ç‘rast dhe ishin bastisur bizneset dhe lokacionet e tyre të banimit.

Akuza e cila ka rënduar ndaj këtyre njëmbëdhjetë të dyshuarve ka të bëjë me krim të organizuar, detyrim, shtrëngim dhe posedim të paligjshëm të armëve.

Aktvendimi për hetimin e rastit “Apex” mban datën 8 mars 2013, ndërsa seanca fillestare ishte mbajtur në nëntor të vitit të kaluar. Në këtë seancë avokatët e të akuzuarve kishin kundërshtuar akuzën duke thënë se ajo ishte e pas-afatshme.

Avokatët pretendonin se aktakuza e prokurorit Cansick, është ngritur pas kalimit të afatit të hetimeve të përcaktuar me kodin e procedurës penale të Kosovës.

Kjo kërkesë e avokatëve ishte miratuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të vitit 2016.

Më 30.12.15 me vendimin PKR 194/15 gjyqtarja Kateien Gabriel Wittenem, pas analizës së kundërshtimeve dhe kërkesave për hedhje të aktakuzës kishte marrë aktvendim me te cilin është hedhur aktakuza dhe e ka pushuar procedurën penale.

Kundër këtij aktvendimi ishte ankuar prokuroria në Gjykatën e Apelit të Kosovës, e cila gjykatë në prill e ktheu rastin në rivendosje në Gjykatën Themelore duke miratuar kështu ankesën e prokurorisë.

Procesi rifilloi në 4 maj, ndërsa avokati i Astrit Krasniqit, e quajti vendimin e Gjykatës së Apelit vendimin më skandaloz që ai e kishte parë.

Avokatët mbrojtës të rastit në seancën e majit, kundërshtuan rifillimin e procesit me arsyetimin se ata tashmë kanë bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe duhet të pritet derisa Supremja të vendos për këtë rast.

Gjithashtu avokatët patën ankesë edhe për faktin se është ndërruar kryetarja e trupit gjykues, dhe në vend të Gabriel Wittenem, është caktuar një gjyqtar i ri i EULEX-it.

Gjyqtari Piero Leansa pas dëgjimit të pretendimeve të mbrojtës vendosi që është e përshtatshme që të mos procedohet me këtë rast deri sa të ketë një vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Sqarim: Ky artikull është korrigjuar në pjesën ku bëhet fjalë për të akuzuarit për pengim të personit zyrtar. Emri i R.A. është hequr pasi është vërtetuar se ai nuk është pjesë e aktakuzës për shkaqe procedurale.

 

 

09 Maj 2016 - 16:14

Labinot Leposhtica 09/05/2016 - 16:14
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend