Arkiv - Gjykimi ndaj Granit Elshanit

Avokati: Granit Elshani ka Hematomë në Sy

Ndrecë Dodaj tha për KALLXO.com se vizitoi të mbrojturin e tij Granit Elshani që po mbahet i paraburgosur në Burgun e Prizrenit, pas raportimeve se Elshani u rrah mbrëmë nga gardianët.

Dodaj tha se Elshani ka shenja në sy nga mosmarrëveshja që pati me zyrtarët e shërbimit korrektues.

“Unë sot e kam vizituar klientin tim Granit Elshanin në Burgun e Prizrenit. Graniti mbrëmë ka pasur një mosmarrëveshje me zyrtarët korrektues. Në syrin e tij vërehet nje hematomë e vogël,” tha avokati Dodaj për KALLXO.com.

Dodaj tha se për këtë rast zyrtarët e Burgut të Prizrenit janë duke zhvilluar hetime.

“Jam takuar edhe me zyrtarët e burgut të cilët janë duke zhvilluar një hetim të brendshëm,” tha Dodaj.

Orhan Hajrizi, udhëheqësi i Divizionit për Komunikim Publik në Ministrinë e Drejtësisë i sugjeroi KALLXO.com që për ndodhinë e mbrëmshme në Burgun e Prizrenit platforma antikorrupsion t’i referohet një deklarate të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës Sokol Zogaj.

Në deklaratë thuhet se Granit Elshani sulmoi gardianët.

“Ju njoftojme se i burgosuri ka sulmuar fizikisht stafin e burgut, me ç’rast stafi janë detyruar të përdorin mjete shtrënguese për të parandaluar eskalimin e situatës,” thuhet në këtë deklaratë.

Ndryshe nga ajo që thotë avokati, deklarata bën me dije se Elshani nuk u lëndua gjatë përdorimit të këtyre masave.

“Gjatë intervenimit të stafit, i burgosuri nuk është lënduar dhe në menyrë që të mos vijë deri tek më e keqja, është dashur të zgjidhet kjo formë e intervenimit,” sqarohet në deklaratë.

Deklarata konfirmon vizitën e sotme të Ndrecë Dodajt në Burgun e Prizrenit dhe hetimin lidhur me këtë rast.

Granit Elshani akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje të rënda, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Vrasja dhe veprat tjera për të cilat akuzohet Elshani kishin ndodhur në vitin 2010 në Diskotekën “City Club” të Pejës në vitin 2010.

Kur doli para gjyqit në seancën fillestare më 13 dhjetor, Elshani u deklarua i pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohet.

http://kallxo.com/granit-elshani-deklarohet-pafajshem-per-vrasjen-e-vitit-2010/

KALLXO.com siguroi aktakuzën kundër Elshanit në të cilën prokurori i EULEX-it Andrew Hughes tregon ecurinë e gjakmarrjes mes familjeve Elshani e Kelmendi që nisi në vitin 2010, ndërsa nga atëherë la të vrarë 23 persona-10 të familjes Kelmendi, 3 të familjes Elshani dhe 10 viktima të rastit.

http://kallxo.com/historia-e-konfliktit-elshani-kelmendi-qe-la-23-te-vrare/

Në Burgun e Prizrenit po mbahej i paraburgosur, si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës edhe Astrit Dehari, aktivisti i “Vetëvendosjes” që vdiq aty më 5 nëntor.

Pas vdekjes së deharit në Emisionin “Jeta në Kosovë” u diskutua rreth gjendjes në burgje me zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.