Foto-ilustrim

Arrestohet një i dyshuar për vrasjen në tentativë në Pejë

Policia e Pejës ka njoftuar se është arrestuar njëri prej të dyshuarve në rastin e vrasjes në tentativë që ka ndodhur të martën rreth orës 17:20 te Stacioni i Autobusëve në Pejë, ku lëndime trupore kanë marrë personat E.H. dhe S.U.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari është arrestuar sot dhe është intervistuar nga hetuesit rajonalë dhe të gjitha veprimet hetimore janë koordinuar me prokurorin e shtetit, me urdhër të të cilit të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit policor për 48 orë.

Hetuesit janë në kërkim edhe të dyshuarve të tjerë për të cilët mendohet se ishin bashkëkryerës të veprës penale.

Policia e Kosovës apelon të qytetarët dhe kërkon nga ata që t’u shmangen veprimeve të kundërligjshme për arsye të sigurisë së tyre dhe sigurisë së qytetarëve tjerë në vend.

Të martën rreth orës 17:20, Policia kishte pranuar informatën për një rrahje në Stacionin e Autobusëve.

Patrullat policore menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe në vendin e ngjarjes kanë takuar dy viktima , të cilët menjëherë me autoambulancë janë bartur për në Urgjencën e Spitalit Rajonal në Pejë.

Viktima të këtij rasti janë shtetasit E.H. viti i lindjes 2001 nga Peja, i cili sipas mjekut kujdestar ka pësuar plagë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, me mjete të mprehta, dyshohet thikë. I njëjti pas tretmanit mjekësor është i shtrirë në Repartin Kirurgjik dhe gjendja e tij sipas mjekëve për momentin është stabile.

Viktima tjetër është S.U., i lindur me 2002, i cili e ka një lëndim nga mjeti i fortë në kokë, pas tretmanit mjekësor  është liruar nga spitali.