ILUSTRIM: Arrestimi i një të dyshuari- Policia e Kosovës

Arrestohet një i dyshuar për grabitjen e armatosur në bankë në Prishtinë

Policia e Kosovës pas një pune intensive hetimore dhe operacionale ka arritur që sot, pak pas mesnatës, të arrestojë një të dyshuar për grabitje të armatosur, e cila ka ndodhur në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës, Florie Ahmeti-Haziraj, tha për KALLXO.com se i arrestuari dyshohet për grabitjen që ka ndodhur më 26.11.2018, në një filial të bankës, në rr. “Robert Dol”, në Prishtinë.

Personi i dyshuar  ka qenë në arrati që nga kryerja e grabitjes dhe i njëjti ka rezistuar gjatë arrestimit, tha zëdhënësja e Policisë.

“Zyrtarët policorë janë detyruar që për ta futur nën kontroll të kërkuarin kanë aplikuar forcën e domosdoshme dhe proporcionale për arrestimin e tij. Gjatë arrestimit edhe njp zyrtar policor ka pësuar lëndime të lehta trupore”, tha për KALLXO.com Florie Ahmeti-Haziraj.

Të dyshuarit i janë konfiskuar para në euro dhe dinarë të Serbisë.

Në konsultim me prokurorin kujdestar,  i dyshuari dërgohet në Qendër te Ndalimit, për procedura të mëtejme.