Ilustrim

Arrestohen 2 të dyshuar për grabitje të armatosur në Obiliq

Policia e Rajonit të Prishtinës ka arrestuar dy persona për të cilët dyshohet se janë autorë të një grabitjeje të armatosur që ka ndodhur më 15 dhjetor 2019 në një pompë derivatesh në Obiliq.

Në këtë incident, sipas Policisë, persona të maskuar dhe të armatosur  nën kërcënimin e armës kishin grabitur një sasi të konsiderueshme parash.

Që nga dita e raportimit hetuesit policorë të rajonit të Prishtinës kanë ndërmarrë  të gjitha veprimet operative, ato të kërkimit si dhe të hetimit, me qëllim të lokalizimit dhe kapjes së personave të dyshuar.

Sipas njoftimit të Policisë, aksioni i realizuar sot nga njësiti i Hetimeve te Përgjithshme ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar dhe konfiskimin e një arme zjarri.

Personat e dyshuar që janë arrestuar sot janë A.G., 32 vjeç dhe B.K. 36 vjeç, të dy shtetas të Republikës së Kosovës.

Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.