Policia e Shtetit- Tirane- Foto: Policia e Shtetit/Facebook

Arrestohet 28 vjeçari i Kërkuar Ndërkombëtarisht për Vrasje

Policia e Tiranës ka arrestuar 28 vjeçarin, Fation Stojani, i cili ishte shpallur i kërkuar ndërkombëtarisht për vrasje me dashje.

Policia bqn me dije se 28 vjeçari në nëntor të vitit 2016 në qytetin Conegrate të Milanos në Itali ka vrarë me armë zjarri dy shqiptarë- 31 vjeçarin me inicialet A. Ll dhe 38 vjeçarin A. Ll.

Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, arrestimi i të dyshuarit është bërë nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë në Mat, në bashkëpunim me INTERPOL Tirana, gjatë ditës së sotme në qytetin e Burrelit.

Sipas njoftimit, 28 vjeçari është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL Roma në Itali, pasi Gjykata Busto, ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprën penale vrasje me dashje.

Policia ka njoftuar se për këtë vepër maksimumi i dënimit që mund t’i jepet 28 vjeçarit është burgim i përjetshëm.

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, po kryen procedurat e nevojshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.