Arrestohen katër zyrtar doganor dhe katër të dyshuar për kontrabandë

Katër zyrtar doganor dhe katër kontrabandistë janë arrestuar sot në pikën Doganore në Vërmicë.

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me hetuesit e Doganës, pas një hetimi disa mujor duke përdorur teknikat speciale të hetimit dhe vëzhgimit, ka arritur që sot t’i arrestoj katër zyrtarë doganor të Pikës Doganore në Vërmicë të Prizrenit dhe katër qytetarë, dy prej tyre shtetas të Shqipërisë.

Sipas njoftimit të prokurorisë, zyrtarët doganor me inicialet H.D., B.M., D.H., dhe A.Z., dyshohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur  pozitën zyrtare.

Ndërsa, katër të dyshuarit tjerë, M.A., V.S., V.S., dhe L.Rr., dyshohen për kontrabandim të mallrave, tregti të ndaluar dhe  shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Prokuroria Themelore ne Prizren,  për tetë personat e lartë cekur ka lëshuar aktvendim për ndalim, dhe të dyshuarit do të mbahen 48 orë në ndalim deri në një vendim tjetër.