Arbreshët vizitojnë ushtrinë e Kosovës

Një delegacion i komunitet arbëresh nga Sicilia e Italisë kanë vizituar sot Ministrinë e Mbrojtës në Republikën e Kosovës.

Këtë delegacion të shoqëruar nga ministri i Ministrisë së Diasporës, Dardan Gashi e ka pritur zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes Burim Ramadani dhe gjeneral major Gëzim Hazrolli,

Zëvendësministri Ramadani ka shprehur konsideratë të lartë, jo vetëm për përkushtimin e këtij komuniteti në ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe, por edhe për kontributin e tyre të madh brez pas brezi, duke çmuar në veçanti kontributin e pinjollëve të këtij komuniteti në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

“Republika e Kosovës ka për objektiv kryesor integrimin në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO. Kosova ka orientim perëndimor, ashtu siç është edhe partneri ynë, shteti i Italisë, pra shteti juaj ku ju jetoni dhe kontribuoni, anëtar i NATO-s dhe i bashkimit Evropian”, u shpreh Ramadani.

Pas vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes, delegacioni arbëresh kanë vazhduar vizitën e tyre në Komandën e Forcave Tokësore, duke u pritur përzemërsisht në të gjitha repartet e saj.

Vizita e arbëreshëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Ushtri u zhvillua në kuadër të aktivitetit ,,Ditët e Arbëreshëve’’ në Kosovë, të organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, nën patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj.