Musliu: Drejtuesit e AKI-së duhet të rrinë larg ndikimeve politike

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu ka folur pas raportimit në komision të inspektorit të Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Burim Ramadani.

Musliu para mediave tha që drejtuesit e AKI-së do të ftohen vazhdimisht në raportime për t`u informuar me punën në këtë institucion.

“Tani jemi në ciklin e informimit për së afërmi me gjendjen e këtij institucioni, ajo çka vlen të theksohet se zyrtarët e AKI-së  e marrim me shumë sportivitet para Komisionit, sepse gjithmonë i mbron konfidencialiteti i dhënies së informatave”, tha Musliu para mediave.

Tutje Musliu theksoi se komisioni të cilin drejton ajo do të bëjë kontroll demokratik mbi këtë institucion.

“Në po mundohemi ti tregojmë që ne jemi këtu për të bërë kontrolle demokratik dhe për të mbikëqyrur punën e secilit. Këtu do të jemi për të aprovuar punë të mira të këtij agjencioni, por këtu do të jemi për të evidentuar edhe shkeljet dhe parregullsitë në këtë institucion”, theksoi ajo.

Kryetarja e komisionit për mbikëqyrje të AKI-së kërkoi nga udhëheqësit e AKI-së të rrinë larg politikave ditore.

“Kërkojmë nga drejtuesit e Agjencinë të rrinë larg politikave ditore dhe ndikimeve politike sepse është institucioni ma kredibil ose institucioni kryesor për sigurinë kombëtare”, tha ajo.

Musliu nuk dha detaje se çfarë raportoi Burim Ramadani para deputetëve, por theksoi se komisioni që ajo drejton nuk do të lejoj keqpërdorimet në këtë institucion.

“Unë nuk mund të shpalos detaje por ajo çka ne kërkojmë disiplina në institucion, respektimi i hierarkisë, ligjit dhe Kushtetutës, dhe ta kenë të qartë që të qenurit konfindencial nuk i mbron ata nga shkeljet dhe keqpërdorimit e mundshme. Deri më tani nuk kam diçka për më shtu, raportet tona do të jenë të rregullta, do ti ftojmë ktu dhe do ti vizitojmë atje”, shtoi Musliu.

Sot në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë për raportim ka qenë i ftuar Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Burim Ramadani, mirëpo kjo mbledhje ka qenë e mbyllur për media.

Më 25 nëntor, Burim Ramadani është emëruar kryeinspektor i AKI-së nga ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.